E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurban Bajrami festohet në mbarë vendin, besimtarët përcjellin mesazhe paqeje, solidariteti dhe harmonie

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Besimtarët myslimanë në të gjithë vendin kremtuan sot Kurban Bajramin, një nga festat më të rëndësishme të besimit islam, duke u mbledhur në sheshe dhe xhami për faljen e namazit dhe duke përcjellë mesazhe paqeje.

Në Elbasan, qindra besimtarë myslimanë falën mëngjesin e sotëm namazin e Kurban Bajramit në sheshin “Gensher”. Besimtarë të shumtë të grupmoshave të ndryshme, u mblodhën në shesh, ndërsa urimet mes qytetarëve shoqëruan atmosferën festive.

Festa u kremtua edhe në Lezhë, ku dhjetëra besimtarë u mblodhën në xhaminë e qytetit. Myftiu i Lezhës, Sadetin Kotrri, theksoi simbolikën e kësaj feste dhe përcolli mesazhe paqeje e harmonie.

“Kurban Bajrami është një ditë që na afron më shumë me njëri-tjetrin dhe na kujton rëndësinë e solidaritetit, dashurisë dhe besimit”, u shpreh Kotrri.

Në Durrës, falja u zhvillua në sheshin para Xhamisë së Madhe në qendër të qytetit, ku gjatë ceremonisë u bënë thirrje për më shumë dashuri, mirëkuptim dhe paqe në familje e në shoqëri.

Qindra besimtarë u mblodhën edhe në Korçë dhe Pogradec, ku mesazhet u përqendruan te devotshmëria ndaj Zotit dhe mbështetja për njerëzit në nevojë.

Në Berat, besimtarët mbushën pedonalen “Republika” për faljen e madhe të Kurban Bajramit, e cila nisi në orët e para të mëngjesit dhe u drejtua nga Bilbil Talla.

“Kurban Bajrami është dita e sakrificës, sinqeritetit dhe solidaritetit njerëzor. Është një moment reflektimi dhe një thirrje për të qenë më pranë jetimëve dhe familjeve në nevojë”, tha Talla.

Në Kukës, besimtarët u mblodhën në xhaminë kryesore të qytetit. Kryeimami Emirjon Vataj uroi besimtarët me rastin e festës.

“Sot është një ditë e gëzuar për të gjithë botën islame. Kurban Bajrami është një festë që na mëson sakrificën. Është festa kur njerëzit duhet të solidarizohen dhe të afrohen me njëri-tjetrin. Kam mesazhin e paqes dhe të lumturisë. Ju uroj të gjithë besimtarëve gëzuar dhe për shumë vite Kurban Bajramin”, tha Vataj.

Atmosfera festive është reflektuar edhe në pikën kufitare të Morinë, ku gjatë orëve të fundit është regjistruar rritje e hyrjeve nga Kosova. Shumë qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur të kalojnë festën në Shqipëri, duke kombinuar vizitat familjare me pushimet në bregdet dhe zonat turistike.

Në Sarandë, qindra besimtarë u mblodhën në xhaminë e qytetit për faljen e namazit. Ceremonia u drejtua nga Banart Pajollari, i cili përcolli mesazhe paqeje, harmonie dhe vëllazërie.

Në Vlorë, besimtarët u mblodhën në Pallatin e Sportit “Flamurtari”, ku falja u drejtua nga myftiu Ardit Hoxhllaku. Ndërsa në Fier, qindra qytetarë falën namazin në sheshin qendror të qytetit.

Myftiu i Fierit, Mikele Hazizolli, në mesazhin e tij u shpreh se “Kurbani është përkushtim, sakrificë, sinqeritet dhe nënshtrim ndaj vullnetit hyjnor. Kurban Bajrami është dita kur ne shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit me buzëqeshje, gëzim e paqe”.

Në të gjitha qytetet e vendit, Kurban Bajrami u shoqërua me urime mes familjarëve dhe vizita tradicionale, ndërsa në qendër të mesazheve të kësaj dite mbetën paqja, solidariteti dhe kujdesi për njerëzit në nevojë, vlera që përbëjnë thelbin e kësaj feste të shenjtë.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›