Kurbin, konflikt me armë mes 3 vëllezërve, vritet vajza 8-vjeçare e njërit prej tyre
Një sherr mes tre vëllezërve në fshatin Gjorm të Kurbinit ka degjeneruar në përdorimin e armëve, duke i marrë jetën vogëlushes 8-vjeçare të njërit prej tyre.
Burimet bëjnë të ditur se vëllezërit Aleksandër, Llesh dhe Mark Cara janë përfshirë në një konflikt me armë në oborrin e banesës së njërit prej tyre, ku ka gjetur vdekjen aksidentalisht vajza 8-vjeçare e Mark Carës, ndërsa ky i fundit është plagosur.
I plagosuri është dërguar menjëherë në spital, ndërsa vogëlushja ka vdekur në vend, si pasojë e plagës vdekjeprurëse.
Shkaqet e ngjarjes nuk janë bërë ende të ditura, por dyshohet që konflikti ka nisur për motive pronësie. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. / G.N.
