Kurbin, zjarri përfshin sipërfaqe pyjore në Drojë, flakët rrezikojnë banesat

Një sipërfaqe e konsiderueshme toke është përfshirë nga flakët në fshatin Drojë të Kurbinit, duke krijuar një situatë shqetësuese për banorët e zonës.
Sipas informacioneve nga terreni, flakët janë shfaqur fillimisht në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Megjithatë, për shkak të kushteve, zjarri është përhapur me shpejtësi duke përfshirë një masiv pyjor privat. Si pasojë e flakëve, raportohet se janë djegur edhe disa koshere bletësh.
Situata është bërë veçanërisht kritike për shkak se vatrat e zjarrit ndodhen pranë disa banesave, duke rrezikuar drejtpërdrejt përhapjen e tyre drejt zonave të banuara.
Menjëherë pas dhënies së alarmit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Kurbinit. Ekipet e emergjencës po punojnë intensivisht në terren për izolimin, shuarjen e flakëve dhe parandalimin e çdo rreziku të mëtejshëm për banorët dhe pronat e tyre.
/rtsh.al/