E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurset private: Mësuesit, orë mësimi me pahir me nxënësit

Fenomeni

FIER - Në shkollat e rrethit të Fierit po haset gjithmonë e më shumë fenomeni i zhvillimit të kurseve private nga mësuesit, të cilët detyrojnë nxënësit të kryejnë me pahir orë mësimore jashtë programit të shkollës. Ky fakt konfirmohet edhe nga Drejtoria Rajonale Arsimore Fier. Ilir Luga, përgjegjës i inspektoriatit të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme pranë kësaj drejtorie, shprehet se janë marrë sinjale nga burime të ndryshme se, shumë mësues zhvillojnë kurseme nxënës të tyre në mënyrë të paligjshme. Për këtë arsye, DAR Fier ka nxjerë një qarkore, të cilën e ka shpërndarë në të gjitha shkollat e rrethit, ku bëhet e ditur se asnjë mësues nuk ka të drejtë të japë mësim me nxënësit jashtë orarit të përcaktuar shkollor. Për të minimizuar fenomenin, specialistë të Drejtorisë Arsimore kanë marrë takime në disa shkolla problematike si “Naim Frashëri”, “Pinollopi Pirro”, “Liri Gëro”, ku ka sinjale që zhvillohen kurse të tilla. Në këtë rast u është bërë e qartë mësuesve se ata duhet të zbatojnë me përpikëri udhëzimet e MASH-it, ku nuk lejohen të zhvillohen kurse në mjedise të shkollës dhe as jashtë tyre me nxënësit, të cilët zhvillojnë mësimin me ta. Megjithëse shikohet përmirësim, sërish ka akoma mësues që nuk i binden udhëzimit. Për këtë arsye, Drejtoria e Arsimit Fier do të marrë masa ekstreme për ata mësues që kapen me shkelje. Është detyra e mësuesve që gjithçka që ka nxënësi të paqartë në orët e mësimit, t’ia shpjegojnë brenda mureve të klasës dhe jo jashtë tyre. Nxënës të shkollës “Liri Gëro”, në qytetin e Fierit, shprehen se në shkollën e tyre vazhdojnë të zhvillohen këto kurse private.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›