Tekste dhe pretekse
Meqenëse po hyn në radhën e dytë të shkëmbimit të ideve, mendimeve e gjykimeve, hapësira për bashkëbisedim që na ka krijuar bujarisht gazeta “Shekulli”, mund të shndërrohet, megjithatë, dashur pa dashur, në një arenë ku, po të perifrazonim lirshëm një qesëndi të angelzëve kundër francezëve, ne, bashkëpunëtorët e privilegjuar të kësaj gazete, mund të grindemi me njëri- tjetrin plot 24 orë për të rënë dakord se jemi plotësisht në një mendje me njëri-tjetrin. Kjo vjen për shkak se temat e hedhura në formë propozimi a pyetjesh të përbashkëta, dhe shkrimet e mbërritura, rastësisht të parat për problemet e ngrituara, përmbajnë më shumë se një problem, më shumë se një argument, më shumë se një objekt gjykimi. Për pasojë, kemi të bëjmë me asosiacione temash zinxhir ku, dikush thekson një element, tjetri thekson me tonalitete të larta elementë të tjerë. E një i tretë, i katërt apo i pestë, i tillë për nga kronologjia, jo për nga rëndësia, kap një shteg të ri arsyetimi, duke krijuar përshtypjen e sfidës a iluzionin e injorimit dituror të të tjerëve. Natyrisht oportunizmi dhe konformiteti artificial janë të dëmshëm, të shëmtuar e jo produktivë, por dhe keqinterpretimet, keqkuptimet pa shkaqe thelbësore, debatet ndërveti, pasojë e moskordimit të koncentruar rreth një pike të vetme, janë po aq dëmsjellëse, mendoj.
Konkretisht, ftesës për recension, për librin e ri për heroin tonë kombëtar, Skënderbeun, për shkak të mosleximit të deritanishëm, unë iu përgjigja me një trajtesë më përfshirëse për preokupime serioze tonat, si brezni e re njerëzore dhe si etni shqiptare. Përgjigjja ime, me vullentin e mirë të redaktorëve përkatës, u afishua si shkrim i parë për debatin e radhës mbi tekstet dhe shkollat, që kolegë të respektuar trajtuan e do të trajtojnë në kohën e mbetur. E, për respekt të kolegëve dhe sidomos të lexuesve, në lidhje të ngushtë me temën e propozuar, më duhet të saktësoj si më poshtë:
Së pari: Njoh domosdoshmërinë e teksteve historike autoritare, me autorësi a bashkautorësi të emrave më të merituar në fushën përkatëse; tekste që të dalin të apovuar nga diskutime konstruktive e serioze kolegjiale, në institucionet më përfaqësuese të kërkimit shkencor albanologjik.
Së dyti: Dëshiroj që tekstet ekzistuese, aq më shumë ato që do të botohen si nevojë e aktualitetit dhe kërkesave në rritje të së ardhmes, të pastrohen nga shtrembërimet e paragjykimet subjektive për shkaqe jashtë shkencore; të ballafaqohen sa më shumë dokumente arkivalë, sa më shumë monografi, të cilat përmbajnë burime të reja faktografike, metodologji sa më bashkëkohore dhe interpretim profesional, cilësor; dëshiroj sa më shumë frymë të mirëfilltë debati e ballafaqimi të të gjithë studiuesve dhe historianëve, jo vetëm nga trevat shqiptare, por edhe nga bota, pasi këta të fundit mund të jenë më të shpenguar prej konjukturave tona ditore, më pa komplekse e molepsje personale.
Së treti: Ndonënse nuk jam historian nga profesioni, por me keqardhje konstatoj se nga asnjë prej qendrave të fuqishme të etnisë sonë: Në Tiranë, në Prishtinë, në Ulqin, në Tetovë, në Shkup, nuk ka tekste autoritare, integruese të historisë sonë të përbashkët, mendoj për rrjedhim se tekste alternative nga lloj-lloj tipash margjinalë, nga turli pasionantësh e delirantësh, nga gjithëfarësoj pelivanësh pragmatikë e burokratë, nuk ka dobi të kemi. Tekstet alternative për momentin që po flasim e në kushtet që sapo përmendëm, kjo supë e lëngut, të lëngut të pulës, do t’i shërbenin vetëm çoroditjes dhe keqinformimit, e pse jo dhe falsifikimit në dëmin tonë të së vërtetave historike. Përfitim do të kishin vetëm xhepat e shtypshkruesve, xhepat e mësuesve e të autorëve ordinerë që përdhunshëm i shesin, të paktën në Shqipëri ndodh kështu, librat që kanë për “zemër”, d.m.th. për leverdi të tyre.
Së katërti: Duhet një mirëkuptim midis asaj që mund të quhet përfaqësimi ynë në ballafaqim me të tjerët, me fqinjët, me kontinentin, me botën, dhe asaj që quhet përballja me vetveten, me të kaluarën e afërt e atë më të hershme, me kalvarin dhe bëmat tona të brendshme. Nëse këtë të dytën, të vërtetën për vetveten, të vërtetën për marrëdhëniet ndërshqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, në foltoret e forumet tona publike e shmangim, e tolerojmë, e lëmë në dorë të versioneve hipokrite, zyrtare, atëherë, dhe në ballafaqimet e sfidat e shumëllojshme me botën joshqiptare, do të na mungojë solidariteti, kohezioni, vijimësia, autoriteti, besueshmëria. Nga kjo dëshirë minore, elementare e imja, që dikush mund ta ketë përkthyer në snobizëm, dikush në nihilizëm e dikush në postmodernizëm, në shkrimin e para pak ditëve, në këtë gazetë e në këtë forum, kam bërë lutje, (jo dekret, natyrisht), për një marrëdhënie të pakompromis me realitetet tona kontradiktore, aktuale, komplekse e problematike. Meqë na kërkohet të shprehemi për tekstet alternativë në shkolla, po e mbyll këtu ekspozenë time modeste, duke rikujtuar se kjo ishte shtojca ime “alternative”, në përmbushje e saktësim të mëtejshëm të pikëpamjeve, lidhur me temën e mprehtëqë po diskutohet.