E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kursi i ri i Ramës – një kohë e re me gënjeshtra të reja

17-09-2011 / Redaksionale

Kohë të tjera, gënjeshtra të reja. Komunistët përpara së të vinin në Pushtet hapën fjalë në qytet dhe fshat se kur do të vinin ata, të gjithë do të hanin me lugë flori. Sot pasardhësit politik të komunistëve janë padyshim socialistët  e Ramës që kanë hapur fjalë për “kursin e ri”, që do t’i sjellë ata në Pushtet dhe shumë të mira vendit. Bile ai ka premtuar Europën si nuse. Taktika më e re, e dalë nga sutaku i Ramës përqendrohet në shpalljen e mrekullive që do të ndodhin për meritë të profetit socialist, që pas humbjen ka pasur zëra nga lart. Këto “zëra” i kanë sugjeruar liderit të opozitës të ndryshojë qëndrim, vizion dhe të ketë një platformë politike tërheqëse, si dhe një koherencë me ndërkombëtarët. Brenda Ramës ziejnë dy personalitete, ai i publicistit të paepur që sulmon “Saliu” sepse ky është në qendër të punëve shqiptare; dhe tjetri politikani i pazhvilluar që luan një lojë politike të ditës e përbërë me shumë me sulme dhe denigrime, sipas parimit qeveritë në Shqipëri ndryshojnë vetëm kur qytetarët mërziten me kryeministrin.
Mirëpo, si shpesh herë Rama ka gabuar në këto llogari sepse kryeministri Berisha është një nga njerëzit me të votuar në Shqipëri. Aleanca politike dhe filozofike që ai ngriti në këmbë për qytetarin më 8 maj marshon me 142 mijë persona më shumë sesa aleanca e “kundër armikut” të Ramës. Matematika nuk është një opinion. Nëse zgjedhjet parlamentare do të provojnë se ky koalicion qytetar ka sërish të njëjtat vota, pra mbi 140 mijë vota, për opozitën dhe Partinë Socialiste gjërat janë për t’u vajtuar. Këtë fakt të pakundërshtueshëm të mbështetjes qytetare të qeverisë Berisha nuk vjen nga qielli. Ajo është rezultat i mbajtjes së premtimeve dhe angazhimeve, të anëtarësimit në NATO, liberalizimit të vizave, të fushatës infrastrukturës rrugore, që në pak vite janë shtruar e hapur aq kilometra rrugë, së 90 vite marra së bashku. Prandaj trendi pozitiv ka themele ku të mbahet, e që sulmet e natyrshme të opozitës nuk mund ta mposhtin.
E vetmja rrugë e opozitës është gjetja e vetvetes. Ajo duhet ta pyesë vetëm se çfarë duhet të bëjë kur të jetë e madhe. Foshnjëria revolucionare me bojkot, me grevë urie dhe demonstrata të dhunshme janë të paefektshme në fryrjen me vota. Sot vendi ka krijuar një masë gri borgjeze që shikojnë tek partitë politike interesat e shtresës së tyre. Nëse Rama flet gjithë ditën për “vjedhje e maskarada”, të tjerët janë të interesuara për politikën fiskale që mund të ketë Partia Socialiste. Mirëpo PS-ja përgjatë zgjedhjeve parlamentare të 2009 prodhoi një libër-program 1000 faqe, që pastaj të gjithë kuptuan se ishte bosh, një bllof i Ramës, që i thosh të gjithëve qytetarët votojnë personin dhe jo programin. U gabuan në atë gjykim. E përsëriti gabimin në zgjedhjet lokale të 8 majit, kur Basha e mundi sepse kishte një vizion dhe një program, kurse Rama u propozoi qytetarëve kudo që shkonte jo vetëm në Tiranë, se “fajin e ka Saliu”.
Sidoqoftë kursi i ri është një bllof politik që PS-ja paraqet për të fshehur kundërthëniet strukturale që ka brenda saj. Parashtrimi “kurs i ri” ishte një narkotizues për mendimin ndryshe që ka filluar të lëvizë me liderin e saj të ri, Arben Malaj.  Islami dhe Harasani kanë dalë hapur kundër drejtimin pa vizion të Ramës, i cili pritet t’i godasë përgjatë Kongresit socialiste të 5 (ose 8) nëntorit. Megjithatë Rama është ende i fortë brenda Partisë, por e njëjta gjë s’mund të thuhet jashtë saj. Rënia e besueshmërisë si brenda dhe jashtë vendit janë të atij lloji saqë është shumë e vështirë të rikuperohet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të pas dy viteve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›