E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti: Asnjë mundësi për koalicion me partitë e tjera

PRISHTINË, 4 nëntor /ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se ajo që dihet sigurt është që Glauk Konjufca i ka minimumi 56 vota për t’u bërë kryeministër i ardhshëm, teksa theksoi se nuk sheh asnjë mundësi as teorike për koalicion me partitë tjera.

Kurti fillimisht ka pritur në takim shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, i cili i dorëzojë atij raportin për Kosovën, nga Komisioni Evropian.

Kurti gjatë konferencës së përbashkët me Orav, tha se është një shanse unike që të kemi një qeveri dhe në të njëjtën kohë të kalohet buxheti për vitin 2026.

“Ne kemi dërguar te presidentja Vjosa Osmani emrin e Glauk Konjufcës, që të bëjmë edhe një tentim për formimin e Qeverisë në mënyrë që mos të ketë dy parë zgjedhje brenda pak muaj dhe meqenëse opozita po thotë se kurrsesi nuk pranon të votojë buxhet të qeverisë në detyrë, ndërsa ne e kemi bërë këtë kur ishte kryeministër Avdullah Hoti, atëherë ja le ta kemi një qeveri e cila nuk është më në detyrë, por e votuar në Kuvendin e Kosovës, derisa ta kalojmë buxhetin. Po të ishte parakusht 61 nënshkrime që të tentohet herën e dytë që të formohet qeveria, nuk do të kishte kuptim afati prej 15 ditëve i cili ekziston për herën e dytë sepse me 61 nënshkrime, po të njëjtën ditë e kalon qeverinë. Sa vota janë saktësisht mund të merret vesh vetëm në seancën plenare”, ka thënë Kurti.

Kurti tha se Konjufca i ka të sigurta 56 vota dhe ndoshta merr edhe më shumë por jo më pak.

“Në Kuvend të republikës unë i mora 56 vota nga 61 sa është minimumi i nevojshëm, Ato 56 sigurt i ka Glauku, ndoshta merr edhe më shumë, më pak nuk mund të marrë, prandaj është e pafalshme nëse nuk tentohet… sa i përket koalicionet qeverisëse me këto partitë, unë nuk shoh asnjë mundësi as teorike më për shkak të mosbashkëpunimit të tyre, kemi shkruar letra, na janë përgjigjur publikisht, na kanë thënë që as nuk takohemi”, tha ai.

Kurti ka folur edhe për qytetarin serb të sulmuar në territorin e Kosovës.

“Sulmi ka ndodhur në territorin e Kosovës. Qytetari i sulmuar, i plagosur, rrezikuar për jetë është shtetas i Republikës së Kosovës. Gjithçka tregon se është sulmuar se është kundërshtar i politikave dhe i regjimit të presidentit të Serbisë, Vuçiq. Policia është në vendin e ngjarjes që prej atëherë, në asistencë edhe me KFOR-in dhe po kryhen procedurat hetimore. Është e qartë se fqinji ynë verior po vazhdon me sulmet e veta që kanë për qëllim disiplinimin e serbëve dhe në anën tjetër destabilizimin e Kosovës, por unë jam i bindur që me organet tona të sigurisë, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtar, ajo do të dështoj në të dy këto fronte”, tha Kurti.

Kurse, për raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, ka thënë se është konstatuar se Qeveria ka kryer detyrat me sukses, derisa integrimi në BE mbetet prioritet verorë dhe strategjik i Kosovës.

Sipas tij, raporti vlerëson edhe disa sektor ku politikat e qeverisë, shtoi se janë kritikuar pa bazë solide në opinionin vendor.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›