Osmani: Serbia po rrezikon paqen në rajon

PRISHTINË, 4 nëntor /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke komentuar sulmin, plagosjen dhe rrëmbimin e qytetarit serb nga Xhandarmëria serbe në territorin e Kosovës, tha se ky është jo vetëm provokim, por edhe sulm që rrezikon paqen dhe stabilitetin jo vetëm në zonë tonë kufitare, por në të gjithë rajonin.
Osmani në një konferencë për media sot, tha se, të gjitha masat janë duke u ndërmarrë nga institucionet e Kosovës për të rikonfirmuar edhe çfarë ka ndodhur saktësisht.
“Meqenëse as policia dhe as KFOR nuk kanë qenë aty në momentin që ka ndodhur incidenti, të vetmet informatave që kemi deri tani janë rezultatet e hetimeve që dalin nga deklaratat e dëshmitarëve dhe familjarëve të të plagosurit. Të gjitha masat janë duke u ndërmarrë nga institucionet e Kosovës për të rikonfirmuar çfarë ka ndodhur saktësisht, pra gjendjen shëndetësore të qytetarit të Republikës së Kosovës, por nga informatat që i kemi nga dëshmitarët dhe familjarët, është se ai është plagosur me qëllim që të vritet dhe pastaj është tërhequr, duke u rrëmbyer dhe ky është jo vetëm provokim por edhe sulm që rrezikon paqen dhe stabilitetin jo vetëm në zonë tonë kufitare, por edhe në të njëjtën kohë në gjithë rajonin tonë”, theksoi Osmani.
Presidentja e Kosovës u shpreh se do të presë përfundimin e hetimeve për të dhënë komentet të tjera.
“Unë do të lë që rezultatet e këtyre hetimeve që po bëhen edhe me mbështetjen e aleatëve tanë, përfundimisht të publikohen nga Policia e Kosovës, por dyshimi është se ka pas shkelje të sovranitetit, por edhe sulm ndaj një qytetari të Kosovës me qëllim që ai të vritet dhe pastaj është rrëmbyer”, tha ajo.
Osmani theksoi se, institucioneve i duhet edhe shumë pak kohë para se të dal raporti i plotë.
Një person mashkull me inicialet M.V., për të cilin Policia e Kosovës njoftoi më 3 nëntor se kishte marrë informacione se ishte plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria e Serbisë në territorin e Leposaviqit, thuhet se punonte në Byronë Kosovare të Sigurimit në vendkalimin kufitar të Jarinjës, në veri të Kosovës.
/KosovaPress//r.e/