Kurti: Do të bëjmë gjithçka për korrigjimin e dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

PRISHTINË, 30 shtator/ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dënimi i ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale është i padrejtë juridikisht dhe i pasaktë historikisht.
Kurti para kabinetit qeveritar tha se këtë e ka ngritur në secilin takim me ndërkombëtarë në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që u mbajt javën e kaluar në Nju Jork.
Ai tha se procesi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nuk ka përfunduar dhe presin që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e aktgjykimit të 16 shtatorit.
“Ishte vizitë e dendur për plot takime me liderë e zyrtarë të lartë të shteteve mike, sikurse drejtues të institucioneve ndërkombëtare dhe natyrisht me mërgatën tonë në Nju Jork. Ngritëm një sërë temash dhe diskutimesh, përfshirë aktgjykimin e padrejtë në Hagë, të zhdukurit me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shqiptarët e Luginës së Preshevës, sikurse biseduam edhe për ekonomi, siguri dhe zhvillim. Në secilin takim unë shpreha shqetësimin e thellë për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ai është i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht. Është e rëndësishme të dallojmë atë që është thënë dhe pretenduar dhe ajo që provuar dhe vendosur nga gjykata. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, tha ai.
Duke njoftuar për takimin e 27 shtatorit me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti tha se si qeveri do të bëjmë gjithçka çka dimë dhe mundemi për korrigjimin e dënimit të ish-krerëve të UÇK-së.
Kurti foli edhe për marrëveshjen e partive politike nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, kur më 29 shtator arritën marrëveshjen për listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Ai tha se ky është një hap i rëndësishëm për shqiptarët në Luginë, ku rezultati në zgjedhje mund të jetë historik. /KosovaPress/