E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti thirrje partive politike: Të ulemi bashkë për zgjedhjen e presidentit

PRISHTINË, 30 shtator/ATSH/ Kryeministri, Albin Kurti, ka bërë thirrje për bashkëpunim të partive parlamentare për ta zgjedhur presidentin. Sipas tij, Kosova nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja, duke theksuar se në rrethanat aktuale pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale vendit i duhet stabilitet institucional.

Kurti para kabinetit qeveritar njoftoi se më 27 shtator ka takuar ndaras kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kuvendi duhet ta zgjedhë presidentin deri më 6 tetor, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja.

Sipas Kurtit, zgjedhja e presidentit është e mundshme, andaj spektri politik duhet të ulet bashkë për të gjetur një zgjidhje. Ai përmendi edhe paqartësitë e reja kushtetuese me ushtrimin e detyrës së presidentit, ku më 5 tetor bëhen gjashtë muaj me ushtrimin e detyrës së postit të presidentit.

“Ne e kemi një marrëveshje me LDK-në, por e dimë se ajo u shkel dhe braktis nga gjashtë deputetë të saj, përkundër që ajo e kishte bekimin e partisë së tyre. Para nesh i kemi edhe gjashtë ditë të plota për t’i dhënë vendit president ose presidente të re. Përveç arritjes së marrëveshjes së re, edhe zgjedhja e presidentit është e mundshme, rrjedhimisht zgjedhjet e reja të shmangen. Andaj, le të ulemi bashkë, pasi zgjedhjet e reja, ndonëse do të shkaktoheshin si pasojë e dështimit për zgjedhjen e presidentit, sërish nuk do të ishin zgjedhje për president. Ato, përveç pa kuvend, edhe një herë, këtë herë do të na linin edhe me paqartësi për ushtrimin e detyrës së presidentit. Ndërkaq qeveria do të mbetej në detyrë”, tha ai.

Duke folur për situatën institucionale pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kurti tha se përcaktimi i afatit për zgjedhjen e presidentit e ka vendosur vendin para një situate emergjente. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›