Kurti: Në mandatin tonë është shtuar numri i punësimit të grave

PRISHTINË, 10 mars/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se mbështetja ndaj grave dhe adresimi i pabarazisë gjinore ka qenë fokus i qeverisë së Kosovës.
Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ku u prezantua rrjeti i grave në pozita vendimmarrëse në administratë publike dhe institucione të pavarura, Kurti, tha se prej vitit 2021 kur kanë marrë pushtetin është shtuar numri i punësimit të grave si dhe 50 për qind e anëtarëve të emëruar në ndërmarrjet publike janë gra.
Kreu qeveritar para të pranishmëve theksoi nevojën edhe të forcimit sindikal të grave, raporton KosovaPress.
Megjithatë, kreu qeveritar tha se pengesat për gratë mbeten në Kosovë, të cilat sipas tij nuk janë ligjore dhe politike, por më shumë kulturore.
Pjesë e këtij organizimi ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili tha se është bërë progres për avancimin e pozitës së gruas në Kosovë, mirëpo nënvizoi nevojën që të ketë avancim edhe më të madh të gruas në Kosovë.
Mes tjerash u theksua nevoja për shtyrjen e politikave që promovojnë barazinë gjinore, pasi u konsiderua që janë esenciale për zhvillimin dhe demokratizimin e shoqërisë kosovare.
/Kosovapress/