E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti: Nuk i kam votat për President, duhet marrëveshje

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur para mediave pas takimit me të parin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai tha se duhet marrëveshje me partitë opozitare, ndërsa konfirmoi se mbrëmë ka qëndruar në Prekaz, te familja Jashari dhe kur është pyetur për Presidenten Osmani, ai tha shkurt, se VV nuk ka kandiduar me një emër për President, dhe se ai nuk i ka numrat për Presidentin.

“U zotuam për komunikim dhe kontakte të drejtpërdrejta, që të hapim një kapitull të ri ndërmjet partive politike. E falënderova për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Tash na duhen dy të tretat për zgjedhjen e Presidentit. Ne si Vetëvendosje nuk kemi garuar me një kandidat për President gjatë zgjedhjeve. Po ashtu as partitë opozitare. Duhet ta gjejmë një zgjidhje, e cila është ndërmjet këto tri forcave politike. Po isha mbrëmë në Prekaz. E kishim lënë të takoheshim me bacin Rifat. Por, për President, nuk kemi ndonjë favorizim, sepse mua më mungojnë edhe të paktën 14 vota. Nuk kam përafrim më shumë me LDK-në ose me PDK-në. Po flas për fakte objektive. Nëse ka marrëveshje me LDK-në, shkojmë te numri 81, ku nuk duhet të mungojë asnjë deputetë në sallë”, tha ai.

Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku tha se dy rrugët në tryezë janë konsensusi ose marrëveshja klasike.

“Janë vetëm dy rrugë përpara, ose konsensus politik mes faktorëve të vendit, dhe ky konsensus duhet të ndërtohet në këto nëntë ditë e ardhshme ose një marrëveshje klasike politike me partive për çështjen e presidentit dhe në të dyja rastet duhet 2/3 e votave dhe mbetëm të takohemi në ditët në vazhdim”, tha ai.

Të shtunën Kurti takoi liderin e partisë kryesore opozitare në vend, Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila ka 22 ulëse. Hamza, sipas Kurtit, shprehu “gatishmërinë” e tij për bashkërendim parlamentar për çështje të “interesit shtetëror e kombëtar”.

Ai deklaroi në rrjetet sociale se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje e një partie të vetme, por e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të popullit.

Vjosa Osmani u zgjodh presidente për herë të parë më 2021 duke gëzuar mbështetjen e Vetëvendosjes së Kurtit, por deri tani, as Kurti e as zyrtarë të partisë së tij nuk kanë shprehur mbështetje publike për një mandat të dytë për të.

Sipas Kushtetutës së vendit, presidenti duhet të zgjidhet me dy të tretat e votave apo tetëdhjetë deputetë në dy raundet e para, ndërsa në raundin e tretë presidenti mund të zgjedhet me shumicë të thjeshtë prej 61 votash

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›