Kurti: Vonesa e publikimit të plotë të vendimit të Kushtetueses nuk është e mirë

PRISHTINË, 18 gusht /ATSH/ Mospublikimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka konsideruar si vonesë.
Në një prononcim për media sot, ai tha se sipas informatave të tij, aktgjykimi i datës 8 gusht ka mospërputhje dhe se “duhet të mendojnë çfarë të bëjnë”. Megjithatë, ai theksoi se do ta respektojë aktgjykimin e Kushtetueses.
Njoftimin mbi aktgjykimin, Kushtetuesja e publikoi më 8 gusht, përmes së cilit urdhëroi deputetët që ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës brenda 30 ditësh.
Kushtetuesja tha se kryekuvendari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe se ai mund të votohet vetëm deri në tri herë.
Ky afat njëmujor do të nisë sapo të publikohet aktgjykimi i plotë, që ende nuk dihet se kur do të ndodhë.
“Nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës me mua si kryeministër nuk e ka respektuar dhe nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtuese, si edhe unë si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekti më i madh në Kuvend, nuk e kam respektuar. Por, kur më pyesni sërish a do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, kjo më bën të mendoj që do të jetë i pazakonshëm, i padrejtë e i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Kurti, në një prononcim për mediet pas hapjes së Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Kurti tha se për dallim nga aktgjykimi i 26 qershorit i cili ka dalë po atë ditë me njoftimin, aktgjykimi i dytë po vonohet që nga 8 gushti, vonesë të cilën ai nuk e vlerëson si të duhur.
Kurti theksoi se kur ta lexojnë do të ketë një vlerësim për të.
Kosova është futur në krizë politike pasi nuk ka arritur të formojë institucionet e reja që prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.
/KosovaPress/