E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti dhe Abdixhiku mbyllin takimin pa rezultat për zgjedhjen e Presidentit, kreu i LDK-së: Jemi në një situatë të pamundur numerike

Ka përfunduar takimi mbi dy orësh mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i zhvilluar në Kuvendin e Kosovës pas dështimit për sigurimin e mbështetjes së plotë për kandidatin për president, Bekim Sejdiun.

Megjithatë, Abdixhiku ka folur shkurt për gazetarët e pranishëm, duke theksuar se takimi ishte një njoftim i rregullt pas zhvillimeve të fundit.

“E njoftova zotin Kurti, dhe ai më njoftoi për zhvillimet në kryesinë e tij dhe grupin parlamentar,” tha Abdixhiku, duke shtuar se për hapat e radhës duhet të pyeten ata që, sipas tij, e kanë vendosur vendin në një fazë të paqartë.

Pas mbylljes së takimit, Kurti është larguar pa u deklaruar, për të vijuar me një takim tjetër me përfaqësuesit e minoriteteve jo serbe.

Ndërkohë Abdixhiku ka theksuar se gjendja numerike në Kuvend nuk lejon zgjedhjen e presidentit të ri pa mbështetje më të gjerë.

“Ishte një njoftim i rregullt pas zhvillimeve të fundit. Kemi njoftuar zyrtarisht njëri-tjetrin për zhvillimet në parti, siç është në rregullore. Për hapin e radhës duhet të pyesni ata që po duan ta çojnë Kosovën në një fazë të paqartë. Gjendja numerike në Kuvend është kjo që është. Unë jam përpjekur të gjej një zgjidhje, por distancimi i partive të tjera po e çon Kosovën në zgjedhje të reja. Çdo parti është e mirëseardhur të ndihmojë në këtë situatë. Ne jemi në një situatë të pamundur numerike për të zgjedhur presidentin e ri,” u shpreh Abdixhiku.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›