Kurti letër Abdixhikut: Jemi të interesuar për koalicion me LDK-në

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Nëpërmjet letrës, Kurti i propozon Abdixhikut një marrëveshje bashkëqeverisëse dhe e fton zyrtarisht LDK-në në koalicion.
“Po ju drejtohem me këtë letër meqë nuk u takuam ende. Deputetë të LDK-së së fundmi kanë deklaruar publikisht se për të ecur përpara në legjislaturën e nëntë, fillimisht me konstituimin e Kuvendit, nevojitet marrëveshje politike. Si kryetar i LVV-së dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në”, theksohet në letrën e Kurtit.
Teksa i kujton LDK-së të gjitha herët kur ka bërë koalicione qeverisëse, Kurti thekson në letër se diferencat mes dy partive nuk janë më të mëdha sesa ato me partitë e tjera me të cilat LDK ka pranuar të bashkëqeverisë më parë.
“Ne sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet. LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse: në 2001–2004 me PDK dhe AAK, në 2004–2007 me AAK, në 2008–2010 me PDK, në 2014–2017 sërish me PDK, ndërkaq në 2020 me LVV. Mosmarrëveshjet e diferencat që mund të ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK i kishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato. Plus, në vitin 2020 ne bashkë kemi qenë kolegë në Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa të tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe“, shkruan më tej Kurti.
Kjo ftesë vjen pas më shumë se pesë muajsh pa konstituim të Kuvendit dhe me një qeveri në detyrë, në një moment kur vendi përballet me sfida të mëdha të brendshme dhe të jashtme.
Edhe këtë të hënë (5 maj) ka dështuar sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
/rtsh.al/