Kurti nuk bën asnjë hap pas/ “Ose të zbatohet reciprociteti ose të tërhiqet Serbia”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur sërish për 1 shtatori dhe aplikimin e reciprocitetit me Serbinë. Kryeministri ka deklaruar për mediat gjermane se masa për targat dhe dokumentet do të zbatohet ose do të hiqet edhe nga Serbia.
ALBIN KURTI
KRYEMINISTRI I KOSOVËS
Masa ka qenë fillimisht e vlefshme më 1 gusht. Ne kemi lëshuar 2679 dokumente udhëtimi atë ditë pa hasur asnjë problem. Ka pasur raportime se Kurti ka dashur t’ua marrë pasaportat serbëve. Kjo është absurditet i plotë. Ne nuk mbledhim pasaporta, kërkojmë vetëm një dokument shtesë.
Kurti është shprehur se është gati të tërhiqet nga kjo masë nëse edhe Serbia bënë të njëjtën gjë.
ALBIN KURTI
KRYEMINISTRI I KOSOVËS
Kontrollet e planifikuara kufitare për qytetarët serbë që duan të udhëtojnë në Kosovë dhe rregulloret e reja për targat do të jenë të detyrueshme dhe do të zbatohen për një kohë të pacaktuar nga 1 shtatori. Por unë jam gati të shtrëngoj duart me Vuçiçin, nëse Serbia pranon të heqë dorë nga kontrollet kufitare në të ardhmen, atëherë edhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë.
Sa i përket kërcënimeve të sigurisë dhe destabilitetit Kurti tha se ato frymëzohen nga Beogradi.
ALBIN KURTI
KRYEMINISTRI I KOSOVËS
Trazirat e 31 korrikut nuk u shkaktuan nga qytetarët e thjeshtë të minoritetit serb në veri të Kosovës, por nga krimi i organizuar dhe oligarkët, të cilët janë në listën e pagave të Serbisë dhe të cilët në takimet në Beograd u informuan se çfarë duhet të bëjnë në Kosovë. Kjo ishte punë e porositur.
Sipas kryeministrit prezenca e NATO-s është e domosdoshme, sepse rreth Kosovës janë 48 baza ushtarake serbe.