E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti pranon letër urimi nga kryeministri i Hungarisë

PRISHTINË, 10 tetor/ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten pasdite, nëpërmjet ambasadorit László István Dux, pranoi letër urimi nga kryeministri i Hungarisë Péter Magyar, për mandatin e ri qeverisës.

“Dua t’ju shpreh urimet më të sinqerta për zgjedhjen tuaj Kryeministër i Republikës së Kosovës. Ne njohim rolin kyç të Kosovës në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Andaj, jemi të bindur që një Ballkan Perëndimor prosperues ka rëndësi jetike për Hungarinë dhe mbarë kontinentin evropian”, citohet ai në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Magyar rikonfirmoi përkushtimin e Hungarisë për sigurinë e Republikës së Kosovës dhe shprehu mbështetjen për integrimin e saj evropian.

“Në këtë frymë, më lejoni të ritheksoj se Hungaria mbetet e përkushtuar për të kontribuuar për sigurinë e Kosovës nëpërmjet pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it dhe për të mbështetur vendin tuaj në rrugën evropiane”, shkroi kryeministri Magyar.

Qeveria e re e Kosovës “Kurti 4” është zgjedhur me 13 shtator.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›