E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadastra vijon evidentimin në bashkinë Himarë, si të informoheni për banesën pa dokumentacion pronësie

TIRANË, 10 tetor/ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës vijon aksionin derë më derë, për evidentimin në terren të banesave me probleme në dokumentacionin e pronësisë.

Prej fillimit të muajit shtator, aksioni po zhvillohet në fshatrat e bashkisë Himarë.

Për të lehtësuar komunikimin me qytetarët dhe për t’u dhënë mundësinë të ndjekin ecurinë e trajtimit të banesës së tyre, ASHK publikon periodikisht të dhënat e aksionit në Platformën e Konsultimit në Terren, që gjendet në faqen zyrtare www.ashk.gov.al.

Përmes këtij informacioni, banorët e fshatrave të përfshirë në proces mund të njihen me statusin e banesës dhe dokumentet që mund të mungojnë në dosjen e tyre.

Në rastet kur banesa nuk është verifikuar gjatë aksionit, qytetarët mund të kontaktojnë specialistin e ASHK-së pranë njësisë administrative, grupet e terrenit ose të telefonojnë në linjën e gjelbër 0800 88 11, gjatë periudhës së zhvillimit të aksionit në bashkinë përkatëse.

Përmes kësaj nisme, Kadastra synon të forcojë komunikimin e drejtpërdrejtë me banorët, të lehtësojë informimin mbi dokumentacionin e nevojshëm dhe të mbështesë vijimin e procedurave për trajtimin e banesave informale.

ASHK u bën thirrje qytetarëve të informohen përmes kanaleve zyrtare dhe të bashkëpunojnë me ekipet në terren, për të ndihmuar në ecurinë e procesit të legalizimit dhe formalizimit të pronësisë. Ekipet e ASHK-së do të jenë në fshatrat e Bashkisë Himarë deri më 25 nëntor.

Gjatë vitit 2026 Kadastra ka digjitalizuar 4.2 milionë kartela pasurish, ndërsa ka nisur edhe projekti kombëtar për digjitalizimin dhe gjeoreferimin e 38 mijë hartave dhe planshetave fizike. Paralelisht, Regjistrimi Fillestar ka arritur në 95.3% të territorit të vendit, duke përmbushur objektivin e përcaktuar në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Ndërkohë vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2026, janë emetuar mbi 28 mijë vendime për legalizimet, një shifër që e tejkalon të gjithë volumin e vitit 2025.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›