Kurti takon ambasadorin Whitaker: Prania e NATO-s në Kosovë, thelbësore për paqen dhe sigurinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker, ku në fokus ishte bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe zhvillimet rajonale.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka falënderuar ambasadorin Whitaker për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të SHBA-së ndaj Kosovës. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në fushën e mbrojtjes, përfshirë trajnimet dhe ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kryeministri vlerësoi se prania e NATO në Kosovë, në veçanti ajo e Shteteve të Bashkuara, mbetet thelbësore për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, jo vetëm në vend, por edhe në rajon. Ai nënvizoi se përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të ishte një garanci afatgjatë për stabilitetin në Ballkan.
Duke folur për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, Kurti e cilësoi atë të brishtë, duke theksuar se Serbia, me mbështetjen e Russia dhe China, vijon të ndjekë politika me prirje hegjemoniste në rajon.
Ai përmendi gjithashtu armatosjen e Serbisë dhe blerjet e fundit ushtarake nga Rusia dhe Kina, duke i cilësuar ato si kërcënim për stabilitetin afatgjatë dhe fqinjësinë e mirë në Ballkan. Në këtë kontekst, Kurti përmendi edhe bazat e përparme operacionale të Serbisë pranë kufirit me Kosovën.
/rtsh.al/