E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kurti takon komandantin e KFOR-it, flasin për vizitën e Rutte në Kosovë

PRISHTINË, 7 mars/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Enrico Barduani, me rastin e vizitës së planifikuar të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Kosovë më 11 mars.

Gjatë takimit, u diskutua për përgatitjet për këtë vizitë të rëndësishme e më tutje edhe për çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe misionit të NATO-s.

“Qeveria e Kosovës bashkëpunon ngushtë me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, për forcimin e sigurisë dhe paqes në rajon”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të vijë në Kosovë më 11 mars, një ditë pas vizitës së tij në Bosnje e Hercegovinë.

Rutte do të pritet në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Gatë vizitës në Kosovë pritet që Rutte të jetë i shoqëruar edhe nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s që janë anëtarë të Këshillit të Atlantikut të Veriut. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›