E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Do të rrisim rrogat e mësuesve mbi mesataren 1200 euro

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh sot në një takim në Kamzë për 7 marsin se me qeverisjen e tij, pagat e mësuesve do të jenë mbi mesataren.

Gjatë fjalës së tij Berisha tha se arsimi nuk ka vëmendjen e duhur, ndërsa sipas tij, këto vite janë mbyllur 760 shkolla.

“Këto vite numri i studentëve ka rënë me mbi 60 mijë. Këto vite është regjistruar ajo që ndofta nuk është regjistruar asnjëherë në historinë tonë mijëravjeçare. Një qytet, një qendër e banuar si Kolonja, si Erseka, ka patur në vitin 2023 vetëm një lindje”, u shpreh Berisha.

“Mësuesit u degraduan, u zëvendësuan me patronazhistë. Rrogat e tyre në vend që të ndiqnin trendin sot nuk kanë të kompensuar as gjysmën e inflacionit 12-vjeçar”, vijoi Berisha.

Berisha premtoi rritje të rrogave për mësuesit.

“Ju jeni dëshmitarë që ne kemi shpallur moton tonë ‘Shqipëria Madhështore’ dhe unë garantoj secilin prej jush se kjo moto, sado që mund të tingëllojë si e largët, mund të tingëllojë si jo realiste, por unë ju jap fjalën dhe ju garantoj se ‘Shqipëria Madhështore’ do të jetë një realitet shumë më i afërt nga ai që mendoni ju”, tha Berisha.

Sipas tij, “Shqipëria Madhështore” është dhe do të jetë para së gjithash, projekti i burrave dhe grave që e duan Shqipërinë, që e saksifikojnë për Shqipërinë, që i besojnë Shqipërisë.

“‘Shqipëria Madhështore’ është Shqipëria e arsimit madhështor, në të cilin mësuesi e mësuesja, do të jenë në piedestalin e nderit që u takon atyre për misionin e madh që kanë”, u shpreh ai.

“Nuk mund të ketë mësues me rrogë mesatare në Shqipëri. Nëqoftëse rroga mesatare në Shqipëri do të jetë 1200 euro, e mësuesit do të jetë mbi mesataren. Për këtë ju garantoj unë miq. E pedagogut do të jetë qartësisht mbi mesataren. Pra do i rikthehemi me forcën më të madhe, trajtimit të merituar të mësuesit e mësueses”-u shpreh gjatë fjalës së tij Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›