Kurti takon komisionerin e OSBE-së, ngre shqetësimin për zgjidhjen e diskriminimint të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të premten me Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp. Gjatë bisedës janë diskutuar të drejtat e komuniteteve, përdorimi i gjuhëve, si dhe mundësitë për arsimim dhe qasje në shërbimet publike.
Një nga çështjet e ngritura nga Kurti ishte edhe trajtimi i shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ai akuzoi autoritetet serbe për diskriminim sistematik ndaj tyre, duke përmendur pasivizimin e adresave, pengesat në arsim dhe përfaqësimin e pamjaftueshëm në institucionet publike.Kreu i qeverisë së Kosovës kërkoi angazhim të drejtpërdrejtë dhe masa konkrete për zgjidhjen e këtyre problemeve. Sipas tij, Serbia duhet të zbatojë standardet evropiane për mbrojtjen e pakicave dhe të sigurojë trajtim të barabartë për shqiptarët.
“Serbia duhet të përmbushë standardet evropiane për mbrojtjen e komuniteteve, të garantojë barazi reale për shqiptarët dhe të respektojë të drejtat e njeriut e ato civile. Të drejtat e tyre nuk mund të mbeten peng i vullnetit politik të një sistemi autokratik”, shkroi Kurti.