Kurti takon mikun e madh të shqiptarëve, gjeneralin Wesley Clark

PRISHTINË, 14 nëntor/ATSH/ Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim gjeneralin Wesley Clark, njëherësh ish-komandant suprem i NATO-s gjatë luftës në Kosovë e që vazhdon të mbetet mik dhe përkrahës i popullit dhe shtetit tonë.
I shoqëruar nga i biri që i ka përtërirë emrin dhe bashkëpunëtorë nga vende të ndryshme, ushtaraku amerikan u interesua mbi planet zhvillimore të Kosovës në një kohë të ndryshimeve dhe mundësive të mëdha në botë.Në takim u diskutua mbi progresin që ka arritur Kosova, zhvillimet aktuale rajonale dhe mundësitë e bashkëpunimit.
Kurti falënderoi Clark për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për vendin duke thënë se populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj tij. /KosovaPress/