Kurti viziton Institutin e Mjekësisë Ligjore: Mbetjet mortore të 23 personave të zhdukur dërgohen për identifikim

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka vizituar Institutin për Mjekësi Ligjore (IML), ku është informuar për procesin e identifikimit të mbetjeve mortore të gjetura gjatë gërmimeve në veri të vendit.
Pas përfundimit të gërmimeve, të cilat nisën një muaj më parë, në IML janë bartur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin të paktën 23 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Mbetjet janë gjetur në tri lokacione në fshatrat Kalludër dhe Jabukë, në komunën e Zubin Potokut.
Kurti bëri të ditur se nga mbetjet mortore të gjetura në Jabukë është marrë edhe materiali ADN, i cili do të përdoret për procesin e identifikimit të viktimave.
“Procesi ka hyrë në një fazë të re dhe ky është rezultat i institucioneve tona në përgjithësi, prej Policisë, AKI-së, Ministrisë së Drejtësisë, IML-së në veçanti, por edhe ekspertëve mjekoligjorë”, tha Kurti. Sipas të dhënave të bëra publike gjatë vizitës, që nga përfundimi i luftës në Kosovë janë kryer rreth 2700 gërmime, ndërsa vetëm gjatë këtij viti, në 17 operacione të ndryshme, janë gjetur gjithsej 30 mbetje mortore. Gjatë vizitës u bë e ditur gjithashtu se në Institutin për Mjekësi Ligjore janë investuar mbi 814 mijë euro, me qëllim modernizimin e infrastrukturës, rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e kushteve të punës.
/rtsh.al/