E Diel, 1 Nëntor 2026

Flota e re automjeteve, rritet interesi për makinat elektrike dhe hibride në Korçë

Makinat elektrike dhe hibride po bëhen gjithnjë e më të pranishme edhe në rrugët e Korçës. Gjatë këtij viti është vënë re një rritje e interesit për këto automjete, të nxitur nga kostot më të ulëta të përdorimit, kujdesi ndaj mjedisit, por edhe nga lehtësitë fiskale që shoqërojnë veçanërisht automjetet e reja elektrike.

Një nga avantazhet kryesore është përjashtimi nga TVSH-ja në doganë për autoveturat e reja elektrike, masë që është në fuqi prej vitit 2020 dhe synon të nxisë kalimin drejt mjeteve me emetime zero.

Edhe për drejtuesit, përdorimi i një automjeti elektrik apo hibrid shihet si një alternativë më ekonomike në afatgjatë, për shkak të konsumit më të ulët dhe kostove të mirëmbajtjes.

Rritja e numrit të këtyre automjeteve në Korçë tregon se edhe qytetarët po orientohen gradualisht drejt një transporti më ekonomik dhe më miqësor me mjedisin, ndërsa pritet që zgjerimi i infrastrukturës së karikimit të ndikojë më tej në këtë tendencë.

Ndërkohë, futja e mjeteve më të reja në qarkullim po ndikon gradualisht edhe në rinovimin e flotës së automjeteve në Korçë.

Nga 2568 mjetet e reja të regjistruara që prej fillimit të vitit, një pjesë po orientohen drejt teknologjive më të reja dhe më efikase, duke sjellë një ndryshim gradual në mënyrën e transportit.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›