E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurum granata vret punetorin

Shpërthimi i një granate në një grumbull skrapi brenda ambienteve të kompanisë “Kurum” në Elbasan i mori jetën një 35-vjecari.

Ngjarja e rëndë ndodhi në linjën e përpunimit të skrapi dhe viktima është 35-vjecari Gjergji Boduri, punonjës pranë kësaj kompanie. Boduri, me detyrë manovrator ka qenë duke marrë materiale hekuri me mjetin vinç kur ky i fundit ka shkaktuar shpërthimin e granatës. 35-vjecari gjeti vdekjen e menjëhershme si pasojë e plagëve të marra, ndërkohë që është dashur prania e familjarëve për të bërë identifikimin e trupit në morgun e Elbasanit. Grupi hetimor i cili ka mbërritur në vendngjarje po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të shpërthimit që i mori jetën 35-vjecarit, punonjës i “Kurum”. Edhe pse ky vend është përcaktuar jo vetëm si fusha e grumbullimit të skrapit, pranë kompanisë “Kurum”, por edhe vendi për kontrollin e imtësishëm të tij, nuk kanë qenë të rralla incidentet që kanë ndodhur si pasojë e mungesës së kontrollit të materialeve metalike. Policia ndërkohë po heton për praninë e materialeve të tjera shpërthyese në vendgrumbullimin e skrapit, si dhe nëse punëtori ishte i siguruar. Ndërsa po kryeshin hetimet rojet e kompanisë turke kanë penguar mediat të ndjekin nga afër këtë ngjarje të rëndë. Drejt “Kurum” janë dërguar edhe materialet e skrapit që mesa duket kanë dalë nga depot ushtarake në shkatërrim e sipër. Predha apo granata që ka shpërthyer duke vrarë një person do kishte shkaktuar dëme dhe më shumë viktima nëse do hidhej në furrat e shkrirjes së Metalurgjikut. Policia e Elbasanit ka marrë në pyetje personat që janë gjendur në vendngjarje në momentin e shpërthimit, por deri tani nuk është shoqëruar asnjë person përgjegjës për këtë ngjarje. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›