E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush do të fitojë Europa League do të shkojë në Champions

UEFA: Finalja e Champions në 2015 do të luhet në Gjermani

europa leagueVijnë lajme të mëdha nga UEFA. Nga sezoni 2014-15 skuadra që do të fitojë Europa League do të luajë sezonin e ardhshëm në Champions. Ky është vendimi i marrë nga UEFA, por që ende nuk është bërë zyrtar, por ky lajm është zbuluar nga mediat angleze. Sipas tyre ky vendim do të zyrtarizohet sot në Kongresin e UEFA-s që do të mbahet në Londër. Por ky vendim ndoshta nuk do të jetë i vetëm. Mendohet se UEFA mund të shtojë për shtetet e mëdha edhe një vend të pestë në Champions, duke ulur kështu ato në Europa League. Në këtë mënyrë Italia do të kishte katër vende në Champions, dhe nëse ndonjë nga skuadrat e saj do të fitonte Europa League, edhe nëse do të ishte jashtë tre vendeve të para. Në këtë mënyrë UEFA mendon tia rrisë sa më shumë prestigjin kompeticionit të dytë evropian.
Racizmi
Nga fjalët tek faktet. Ashtu siç ka deklaruar më 10 prill sekretari i përgjithshëm Gianni Infantino, Uefa do të ndërhyjë fort në luftën kundër racizmit. Komiteti ekzekutiv ka vendosur që klubet të dënohen nga 50. 000 euro e lartë, mbi dhjetë javë pezullime për lojtarët, dhe dënime të tjera të rënda.
Finalet
UEFA shpërblen Gjermaninë pas kualifikimit të dy skuadrave në finalen e madhe të Champions League që do të zhvillohet të shtunën në stadiumin Wembley mes Borussias së Dortmundit dhe Bayernit të Mynihut. Organi më i lartë përfaqësues i futbollit europian bën me dije se finalja e Champions League për sezonin 2014-2015 do të zhvillohet në stadiumin Olimpik të Berlinit. Vendimi është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s pas zhvillimit të mbledhjes në qytetin e Londrës. Olympiastadion i hapi dyert zyrtarisht për herë të parë në vitin 1936 me rastin e Olimpiadës, ndërsa në historinë e tij ka pritur finalen e madhe të Kupës së Botës në vitin 2006 mes Italisë dhe Francës, ndërsa që prej vitit 1985 aty zhvillohen finalet e Kupës së Gjermanisë. Me kapacitet 74 mijë vende, Olympiastadion është shtëpia e skuadrës kryeqytetase të Hertha Berlinit. Ndërkohë, ndryshon seli një tjetër finale e sezonit 2014-2015 pasi ndeshja mbyllëse e Europa League do të luhet në stadiumin kombëtar të Varshavës në Poloni. Ndërkohë, sezonin e ardhshëm, finalen e Champions League do ta presë Lisbona, ndërsa atë të Europa League, Torino.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›