E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush duhet të rivlerësojë pronën? Ja çfarë thotë eksperti

Eksperti imobiliar Reinaldo Pipiria flet mbi mënyrën se si njerëzit duhet të bëjnë rivlerësimin e pasurive të paluajtshme.

Sipas tij, është e nevojshme që çdo qytetar të lërë para mënjanë dhe të rivlerësojë pronën, duke paguar fillimisht 5%, çka e krijon mundësinë e kursimit në të ardhmen.

“Procesin e rivlerësimit unë e shikoj si një investim në vlerën reale të pronës. Edhe nëse e ke blerë pronën në vitin 2020, edhe nëse je në qytetin e Tiranës, sepse në të shkuarën ka pasur rritje të mëdha çmimesh. Çdokush që ka mundësi dhe ka lënë para mënjanë, ta rivlerësojë pronën, ta vendosë vlerën reale në kartelë dhe të paguajë 5%, që nesër, edhe nëse jeta sjell të papritura, si zhvendosja nga një qytet në një tjetër apo nevoja për ta shitur pasurinë, ta ketë më të lehtë tregtimin. Le t’i ketë kryer taksat, sepse për diferencën do të paguajë 15% mbi vlerën mes asaj që ka vendosur në kartelë nga procesi i rivlerësimit dhe çmimit me të cilin e shet në atë moment. Në këtë mënyrë, mesatarisht kursen rreth 10%. Për shembull, për një pronë që ka 60 mijë euro fitim nga momenti i blerjes deri në momentin e shitjes, nëse ke paguar 5%, ke paguar 3 mijë euro, në vend që të paguaje 9 mijë euro”, theksoi eksperti në një intervistë për “EuroNews”.

Ministria e Financave zhbllokoi pak ditë më parë procesin e rivlerësimit të pronave.

Qytetaret që duan të rivlerësojnë pasuritë e tyre me normë tatimore 5%, nga sot u jepet mundesia  per t’u drejtuar ne Kadaster ose tek nje ekspert i licencuar.

Me udhezimin e botuar ne Fletoren Zyrtare, të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme të regjistruar, kanë të drejtë që deri ne fund te vitit, të bëjnë vlerësimin me vlerën e tregut.

Këtu përfshihen dhe rastet, kur për pasurinë e paluajtshme është bërë edhe më parë rivlerësimi, në zbatim të ligjeve të mëparshme të rivlerësimit.

Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë pranë drejtorisë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, apo me një ekspert të licencuar nga institucionet përkatëse.

Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri, procedura bëhet në mënyrë individuale për secilën prej tyre.

Në proceset e mëparshme, kur është miratuar procesi me normë tatimore 1%, në vitet 2011-2013 janë rivlerësuar 95 mijë prona, dhe në buxhet u mblodhen 4 miliardë lekë.

Më vonë, rivlerësimi u krye në vitet 2016-2017 me një normë tatimi prej 2% dhe u realizua për 63 mijë pasuri, duke gjeneruar rreth 5.1 miliardë lekë në buxhet.

Ndërkohë, procesi i fundit i rivlerësimit të pasurive nisi në vitin 2020 dhe mbaroi në gusht të 2022 me një normë 3%, nga i cili përfituan 110 mijë familje në të gjithë vendin dhe u rivlerësuan 168,200 pasuri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›