Kush e dogji Amantian..?
Opinion nga Sami Starova
Qyteti ilir i Amantias u dogj. Flakët përpinë të gjithë kodrën ku ishte vendosur qyteti antik.
Muret shekullore që i rezistuan disa perandorive dhe luftrave botërore, u shëmbën nga shkarja e dheut, si pasojë e djegies. Gurët gëlqerorë me përmasa të mëdha, janë rrokullisur poshtë, ndërsa ata që kanë mbetur nëpër rrënojat e mureve, janë të plasaritur nga djegja dhe për pasojë e shirave dhe ngricave të ardhëshme do të thërmohen.
Qyteti ilir i Amantias, i shekullit VI para Krishtit u përflak në një ditë me diell, fund gushti 2011.
Një veprim makabër, që do të ishte i pabesueshëm nga çdo qytetar i botës moderne, por që në Shqipërinë tonë, për çudi kaloi si diçka e zakonshme!!
Në vazhdën e zjarreve është folur shumë për djegie të mijra hektarë pyje dhe ullishte, (mbi 1000 rrënjë ullinj iu dogjën familjes time), për të cilat u bë një sënsibilizim mediatik e shtetëror i natyrshëm, por asnje fjalë nuk u shkruajt për djegien e Amantias, që shpreh aktin makabër të çmëndurisë njerëzore. Në këtë kontekst dhe te çudirave të shqiptarëve, pa dashur të bëhem pjesë e heshtjes vdekjeprurëse, po ngre edhe një herë zërin, nga dhimbja e madhe, gjer në kockë, që ndjen çdo pasardhës i Ilirisë.
Fjalët që më dërgoi miku im A.B. se Amantia ishte në flakë, qenë shumë tronditëse dhe detyruese për të vajtur atje. Por, para asaj pamje të llahtarshme shkrumbëzimi, mu prenë gjunjët e mu coptua zemra. I gjendur para këtij qyteti të kthyer në hi, më mbeti vetëm të dokumentoja me pamje filmike këtë turp të pashlyeshëm të brezit tonë.
Për këtë qytet ilir është shkruar shumë që nga antikiteti e në vazhdim.
Ato fillojnë me gjeografin Pr. Skulaski (vepra e të cilit është shkruar në vitet 350-340 para Krishtit), i cili flet për këtë qytet të themeluar që nga shekulli VI para Krishtit. Ai shkruan: Amantët janë ilirë nga bylinët dhe Amantia nuk është një qytet grek, qytete greke ( në fillimet e tyre si koloni) janë Apollonia e Epidomi
Po ashtu dhe kronikani Plini, amantët i quan barbarë si dhe bylinët.
Barbarë quheshin popujt që nuk ishin grekë.
Ky qytet, si pjesë e shtetit ilir, pati një zhvillim të madh politiko-ekonomik për rreth 1000 vjet. Por, në vazhdimin e logjikës se këtij shkrimi, që ngre shqetësimin për fatin e trashëgimisë kulturore kombëtare, po shtroj në këtë shkrim argumenta që tregojnë se qyteti antik i Amantias nuk u shkatërrua (pa folur per djegie) as nga pushtimi romak dhe as nga perandoria bizantine.
Bashkëkohësi i luftës iliro-romake, kronikani romak Tit Livi shkruan se, gjatë pushtimeve romake të vitit 168 para Krishtit, romakët nuk i shkatërruan qytetet byline ( eshtë fjala për Amantian e Bylisin që kishin një origjinë të përbashkët), me të cilët kishin një marrëveshje. Qyteti i Amantias nën perandorinë romake ishte autonom dhe i zhvilluar.
Edhe gjatë perandorisë bizantine nuk flitet për shkatërrime, por përkundrazi, Perandori Justinian (527-563) urdhëroi për rindërtimin e këtij qyteti, i cili u shndrua në një qëndër peshkopale.
Gjatë sundimit turk, ky qytet, ndonse nuk funksionoi, përsëri nuk u shkatërrua. Gjatë këtij sundimi e në veçanti në shekullin e XIX, erdhën në Shqipëri shumë studiues të mëdhenj europianë, të cilët, midis të tjerash, kërkuan dhe qytetin ilir të Amantias. Ndër ata mund të përmëndim gjeografin E. Izamberti, i cili në vitin 1861 flet për sa kishte parë në rrënojat e qytetit antik të Amantias, ndërsa në 29 shtator të vitit 1875 e vizitoi gjeografi G.Koro i pasuar nga studiuesi K. Paçi, i cili bëri edhe një libër me titull: Sanxhaku i Beratit
Studiuesit e mësipërm e në veçanti Paçi e saktësuan vëndndodjen e qytetit të Amantias, kodër në fshatin Ploç, në këmbë të malit Kudhës, në juglindje te Vlorës. Po ashtu, në gjysmën e parë të shekullit XX, arkeologët, si austriaku Prashniker, italiani Ugoline, francezi Rei, shkruajnë për këtë qytet, por nuk flasin për shkatërrime e djegie.
Mendoj se ka vlerë të theksohet se, ata që i dhanë jetë e ndriçim këtij qyteti janë arkeologët e mëdhenj shqiptarë. Në fillesën e gërmimeve arkeologjike, në vitin 1949 e në vazhdim ( pa folur në të ashtuquajturin tranzicion, ku ky qytet pothuajse u harrua). Këto gërmime arkeologjike qartësuan përfundimisht, jo vetëm vëndndodhjen e këtij qyteti, por edhe planimetrinë e tij. Qyteti i Amantias është i vendosur në krahun e majtë të lumit Aosit (Vjosa), në një kodër në lartësi 613 metër, në fshatin Ploç dhe kishte një zhvillim të madh ekonomiko-kulturor.
Amantia, që kishte përballë (në krah të djathtë të Vjosës) qytetin tjetër ilir Bylysin, nëpërmjet lumit Vjosa (që në ato kohë ishte i lundrueshëm), shkonte deri në Apoloni apo dilte në det.
Zbulimet arkeologjike nxorrën trakte të mureve rrethues të një sipërfaqeje 20 hektarë, saktësuan akropolin e famshëm, dolën shumë statuja dhe figura bronxi, stadiumi antik me 17 shkallë, enë të përdorimit të përditshëm e të pikturuara, monedha të qytetit, mbishkrime mbi gure për organizimin shtetëror, vare monumentale etj.
Brezi i parë i arkeologëve shqiptarë bëri epokë. Ky brez, që fillon me H. Cekën e S. Anamalin, të cilët prehen si të mëdhenj, meritojnë homazhe të përhershme dhe jo lëndime nga shkatërrimet dhe djegiet.
Shqetësimi bëhet i përmasave alarmante kur konstatohet se këto veprime makabre bëhen kryesisht në Shqipërinë e jugut, ku edhe është zemra e ilirisë.
Kjo duket qartë në trevën e Beratit. Gjatë punës shumëvjeçare, u zbuluan mbi 300 qëndra e pika arkeologjike, midis tyre 11 shpella, 13 kala (vendbanime të fortifikuara), shumë vendbanime të hapura e nekropole (vareza) etj., ndërsa aktualisht gjenden sa për ti numëruar me gishta.
Shpellat mahnitëse u shkatërruan, kalatë e varezat u përvetësuan dhe i kthyen në toka buke e perimesh.
Fatmirësisht, unë disponoj një dokumentacion të rregullt shkencor, të shoqëruar me fotografi e filmime, që flasin për atë që ka qënë.duke na mbetur vetëm vajtimi për to.
Nëse Amantia u dogj, pak ditë më parë u rrezikua të digjet edhe kalaja e banuar e Beratit, të cilën dhe nazistët e Hitlerit nuk guxuan ti vinin zjarrin. U fol për një zjarr të qëllimshëm, por zjarrvënësi nuk duket gjëkundi. Me sa duket është një dorë e zezë.
Institucionet e larta shtetërore dhe akademike duhet ti përgjigjen këtij alarmi për të parandaluar këtë prag katastrofe. Entusiazmi për asfalt e beton nuk duhet të jetë në dëm të kulturës kombëtare por në shërbim të saj.
Brezat vijnë e shkojnë, trashëgimia e tyre kulturore mbetet. Çdo brez identifikohet me atë që ka vendosur në altarin e shenjtë të trashëgimisë kulturore kombëtare, e cila është e përjetshme.
Amantia thërret!…. Kush e dogji qytetin ilir të Amantias?!
I nderuar lexues!
Në gazetën tonë, më datë 26.08.2011 është botuar një shkrim me titullin vetvrasja më e madhe në historinë njerëzore me autor Sami Starova. Nëpërmjet atij shkrimi kërkohej një vëmëndje e kujdes i madh nga strukturat shtetërore qëndrore e lokale për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Kur ngrihet një shqetësim, jepet një përgjigjë, në të kundërt qëndron bashkëfajsia