Feja dhe identiteti
AGIM TARTARI
Shkëputja nga ato që na ishin rrënjosur më parë, është diçka tepër e vështirë, që nuk mund të realizohet menjëherë. Dhe një nga këto shprehi që na qenkan rrënjosur mjaft thellë, është dhe ajo që, kur të hasim kundërshtime nga ndonjë, në vend që të mendojmë se edhe ky kundërshtues mund të ketë të drejtë, përpiqemi ta mposhtim sa më parë dhe mënyra më e efektshme është ta fyejmë, pa qenë nevoja të japim arsyet e kundërshtimit tonë ndaj mendimeve të tjetrit. Arsyet për një qëndrim të tillë mund të jenë të shumta, duke filluar nga ajo që kemi trashëguar nga mentaliteti komunist (kush nuk është me mua, është armik), për të vazhduar me kapadaillëkun tonë karakteristik, me përtesën për tu thelluar në atë që thotë tjetri etj. etj.
Një shembull i freskët për sa sipër është diskutimi lidhur me ligjin për censusin e popullsisë dhe të strehimit. Në diskutimet për këtë ligj, i cili në përgjithësi u pranua, u shfaq dhe mendimi se nuk ishte e nevojshme që në pyetësor të ekzistonin pyetje lidhur me fenë dhe kombësinë (etninë) e qytetarëve. Kjo u kundërshtua me pretendimin se këto ishin kërkesa të OKB-së, por rezultoi se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se parimet dhe rekomandimet e OKB-së për censuset e popullatës e të strehimit, mbledhjen dhe përhapjen e informatave për këto probleme, konsideroheshin diçka delikate dhe i lejonin vetëm kur e kërkonin nevojat kombëtare, duke shtuar se të pyeturit duhet të njoftoheshin për përdorimet e mundshme dhe nevojën e këtyre informatave.
Por në diskutimet e projektligjit në komisionin e Kuvendit për ligjet, partizanët e idesë që në ligj të përfshihen patjetër edhe feja e etnia, nuk dhanë asnjë arsye përse në këtë census ishte e domosdoshme të përfshiheshin edhe këta dy zëra, cilat nevoja kombëtare diktonin përfshirjen e këtyre dy zërave në pyetësorin e censusit në fjalë. Nuk u tha fare as cilat ishin nevojat kombëtare dhe as cili do të ishte përdorimi i tyre. Referimet që iu bënë Traktatit të Lisbonës dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit midis RSH dhe BE (që ka hyrë në fuqi më 1 prill 2009), nuk kishin asnjë lidhje me kundërshtimet që i bëheshin ligjit. Neni 338.2 i Traktatit të Lisbonës thotë vetëm se përpunimi i statistikave të BE ka karakter paanësie e besimi, objektiviteti, pavarësie shkencore etj., kurse neni 88 i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit bën fjalë vetëm për bashkëpunimin statistikor. Si veçori thelbësore për ndryshimet në ligjin Për regjistrimin e popullsisë, duke përfshirë evidentimin e kombësisë dhe të gjuhës, përmendet dhe acquis communautaire (shkruhet acquis dhe jo acqui, siç figuron në dokumentin e Kuvendit), me të cilin nënkuptohet e drejta e Bashkimit Europian dhe që përmbledh jo vetëm parimet, objektivat politikë dhe legjislacionin e zbatuar nga shtetet anëtare, por dhe praktikën e Gjykatës Europiane të së Drejtës, deklaratat dhe rezolucionet e Bashkimit, marrëveshjet ndërkombëtare të përfunduara nga Bashkimi e nga shtetet anëtare etj. Por në diskutimin e vet, deputeti Bumçi nuk na saktësoi se cilit prej akteve të sipërme i referohet për të përligjur kërkesën e tij të përfshirjes në censusin që do të bëhet në tetor 2011, edhe të pyetjeve lidhur me kombësinë e fenë. Por sidoqoftë, për sa i përket census-it që diskutohet të bëhet në Shqipëri, duke qenë se ai nuk respekton kërkesat e parimeve dhe rekomandimeve të OKB-së (2008) [paragrafët 2.153 dhe 2.160], kryerja e tij, duke përfshirë edhe çështjet e kombësisë e të gjuhës, pa saktësuar më parë se cilat janë nevojat kombëtare që diktojnë përfshirjen e tyre dhe për se do të përdoren të dhënat e mbledhura për këto çështje, nuk mund të jetë as i rregullt dhe as i ligjshëm.
Për sa u përket të drejtave të njeriut, një nga aktet më të rëndësishme lidhur me to është pa dyshim Karta Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, miratuar dhe shpallur më 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me rezolutën 217/A (III) dhe neni 18 i së cilës sanksionon se Çdo person ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose bindjet, si dhe lirinë për të manifestuar fenë ose bindjet, vetëm ose bashkërisht, si në publik ashtu dhe privatisht, nëpërmjet arsimit, praktikave, kultit dhe kryerjes së riteve.
Një akt tjetër, po aq i rëndësishëm, është edhe Konventa Europiane e Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut (Romë, 4 nëntor 1950), së bashku me protokollet përkatëse (deri sot 13). Paragrafi i parë i nenit 9 të kësaj Konvente është i njëjtë me nenin 18 të Kartës (përmendur më lart), duke u shtuar paragrafi i dytë me këtë përmbajtje: Liria e shfaqjes së fesë së tij ose e bindjeve të tij nuk mund tu nënshtrohet kufizimeve të tjera, përveç atyre të parashikuara nga ligji dhe që përbëjnë masa të nevojshme në një shoqëri demokratike, për sigurimin publik ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.
Më 7 dhjetor 2000, Parlamenti Europian, Këshilli dhe Komisioni, shpallën solemnisht në Nicë Kartën e të drejtave themelore të Bashkimit Europian, të cilat grupohen në gjashtë kapituj kryesorë: Dinjiteti, Liria, Barazia, Solidariteti, Shtetësia dhe Drejtësia. Në nenin 10.1 të kësaj Karte thuhet se Çdo individ ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë. Kjo e drejtë përfshin lirinë për të ndryshuar fenë ose bindjet e veta, si dhe lirinë për të manifestuar fenë e vet apo bindjet e veta individualisht apo kolektivisht, në publik ose privatisht, nëpërmjet kultit, mësimit, praktikave dhe respektimit të riteve, por në asnjë dispozitë të kësaj Karte nuk bëhet fjalë për kombësinë.
Përfundimi i parë që mund të nxirret nga shqyrtimi i këtyre instrumenteve kryesore ndërkombëtare, është se në to bëhet fjalë për të drejta të patjetërsueshme, që kanë një vlerë absolute.
Një përfundim tjetër që mund të nxirret, është se këto të drejta kanë karakter individual, sepse ato ekzistojnë vetëm në raport me të tjerët dhe nuk janë të drejta kolektive. Madje, edhe në të drejtat e njohura nga Konventa Kuadër e të Drejtave të Pakicave Kombëtare pranohet se Konventa Kuadër nuk njeh të drejta kolektive, por të drejta individuale që gëzojnë personat që i përkasin një pakice kombëtare (paragrafi 59 i Raportit të Komitetit për Çështjet Juridike dhe të Drejtat e Njeriut pranë Parlamentit Europian, Dokumenti 10961, dt. 12 qershor 2008, mbi ratifikimin e kësaj Konvente Kuadër nga shtetet anëtare të Këshillit të Europës).
Por, që të mund të vazhdojmë diskutimin e filluar, do të ishte mirë që paraprakisht të sqaronim disa koncepte bazë. Më 20 korrik 2011 është thënë p.sh. se shtyrja e censusit për vjeshtën nuk ka lidhje me klithmat mjerane të disa individëve, të cilët për interesa personalë, duan të vënë në pikëpyetje identitetin e kësaj shoqërie dhe se ata të cilët derdhin lot për kërcënimin e identitetit, kanë fatkeqësinë të kenë lindur pa identitet. Nuk kanë të bëjnë me shoqërinë shqiptare, por janë individë të shkëputur. Ky komb nuk do vuajë kurrë për identitetin e tij. Më poshtë, pasi thuhet se këta njerëz kanë deficiencë identiteti dhe shoqëria i pranon vetëm sepse është një shoqëri e lirë, saktësohet se ata janë mjeranë ateistë, se kanë frikë Zotin. Qytetarët duhet të ndihen krenarë për përkatësinë etnike. Ata që shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore, përdhosin Kushtetutën dhe janë më të mirë se çakejtë e tyre, që fshihen pas të vegjëlve1 .
Nga gjithë kjo prozopope nuk arrij dot të nxjerr asnjë arsye se përse qytetarët shqiptarë duhet domosdoshmërisht të deklarojnë një kombësi dhe një fe.
Çfarë kuptojmë me termin fé? Deri sot ka qenë e pamundur të jepet një përkufizim i saktë i këtij termi, sepse ajo është konceptuar ndryshe nga kulturat e ndryshme, duke filluar nga kultura persiane dhe e Lindjes në përgjithësi (Zarathustra apo mazdeizmi, hinduizmi, hebraizmi etj.), kultura e Greqisë së vjetër, e Romës, kultura e Europës Perëndimore etj. etj. Por zhvillimi shoqëror dhe intelektual ka sjellë si rrjedhojë të pashmangshme edhe mohimin e një përmbajtjeje racionale të feve, të cilat u konsideruan dhe dukuri irracionale (David Hume, 17