Kush është gati për euron?
Me 11 vende startoi monedha e përbashkët europiane dhjetë vjet më parë. Një projekt ambicioz pasi euro duhej të ishte po aq e fortë sa dikur marka gjermane. Bilanci sot është pozitiv. Në vitin 2001 zonës së euros iu shtua Greqia ndërsa në vitin 2007 Sllovenia.
Sllovakia do të jetë vendi i 16-të që do të fusë monedhën e përbashkët europiane. Komisari i BE-së për valutën Joaquin Almunia e miraton këtë plan pasi qeveria sllovake dëshmon një administrim të shëndoshë buxheti dhe borxh të ulët. Banka Qëndrore Europiane që mbikëqyr nga Frankfurti stabilitetin e euros ka megjithatë dyshime të forta. Sipas saj ekziston rreziku që në Sllovaki gjatë viteve të ardhshme të ketë rritje të fortë të inflacionit. Normat e ulëta të rritjes së çmimeve janë një kriter i rëndësishëm për futjen e monedhës së përbashkët. Pas Komisionit të BE-së duhet të merret edhe miratimi i ministrave të financave të BE-së gjë që konsiderohet megjithatë vetëm diçka formale. Eksperti për monedhën në fraksionin konservator në Parlamentin Europian ëerner Langen paralajmëron ndaj zbutjes së kritereve. Në rastin e Sllovakisë ndoshta mund të mbyllet një sy pasi ajo është një vend relativisht i vogël, por kjo nuk është në asnjë mënyrë e mundur për vende të mëdha si Polonia:
"Vendet anëtare duhet të respektojnë kushtet që cilat i kanë vendosur vetes."
Gjashtë vjet me rradhë qeveria sllovake e ka pregatitur vendin me reforma strikte për euron. Pjesa dikur e varfër e ish Çekosllovakisë ka bërë kështu përparime ekonomike. Qipro dhe Malta e bënë euron mjet zyrtar pagese në fillim të këtij viti. Në Slloveni euro është mjet pagese që prej 1 janarit 2007. Por atje konsumatorët përjetuan rritje më të fortë të çmimeve nga sa pritej pas futjes së monedhës së re.
Nga 9 vendet e reja anëtare të BE-së, një datë konkrete për futjen në zonën e euros i ka vendosur vetes Rumania. Në vitin 2014 edhe në Rumani euro do të bëhet mjet zyrtar pagese. Shumë vende e shtyjnë futjen e monedhës së përbashkët pasi me të janë të lidhur me rregulla strikte për buxhetin dhe duhe të përmbushin kriteret e rrepta. Të gjitha vendet e BE-së përveç Britanisë së Madhe dhe Danimarkës kanë nënshkruar marrëveshjen për futjen e euros, edhe pse afati nuk është gjithmonë i përcaktuar. Pak ditë më parë vendimi për futjen e monedhës së përbashkët mbushi dhjetë vjet. Komisari i BE-së për çështjet e parasë , Joaquin Almunia bëri një bilanc pozitiv:
"Falë euros Bashkimi Europian dhe veçanërisht zona e euros është sot një zonë ekonomike shumë e integruaar me një volum të lartë tregtar, më shumë mundësi dhe tregje eficiente."
Euro ofron mbrojtje ndaj turbullirave ndërkombëtare të parasë dhe ka çuar në uljen e inflacionit. Ajo është monedha e dytë më e rëndësishme në botë pas dollarit amerikan. Gjatë dhjetë viteve të ardhshme duhen bërë përpjekje për rritje më të fortë ekonomike dhe ulje të borxhit shtetëror. Komisoni i BE-së bëri të ditur se aktualisht nuk ka asnjë procedurë të hapur ndaj ndonjë anëtari të zonës së euros për deficit të lartë buxhetor. Por Italia dhe Franca rrezikohen që së shpejti të ulen sërisht në bankën e fajtorëve.
DW