E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim eksplozivi në mes të Kukësit

Persona ende të paidentifikuar i kanë vendosur një sasi eksplozivi makinës së djalit të kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Hasan Halili. Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 3:20 minuta në lagjen 4 të qytetit të Kukësit. Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm sa është ndjerë në të gjithë zonën. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ende nuk ka një version përfundimtar për ngjarjen, ndërkohë që mendohet se mund të ketë qenë një grindje mes adoleshentësh.

Ngjarja

Ka qenë ora 3.20 min, duke u gdhirë dita e sotme kur banorët e lagjes 4 të qytetit të Kukësit janë çuar të tmerruar nga shpërthimi i fuqishëm. “Eksplozivi ishte vendosur poshtë makinës së djalit të bashkisë me targa kososvare”.  Mësohet se nga shpërthimi është dëmtuar komplet automjeti tip golf si dhe janë thyer xhamat e dritareve të shumë banesave, pranë vendit ku ishte e parkuar makina. Është dëmtuar një shtëpi në katin e parë si dhe disa zyra noterie aty rrotull.

Banorët e lagjes tregojnë se janë trembur pa masë teksa kanë dëgjuar shpërthimin dhe kanë dalë në dritare për të parë çfarë kishte ndodhur.

Në Kukës kanë arritur ekspertë të antiterrorit nga Tirana, për të hetuar mbi këtë  çështje, megjithatë ende nuk është dhënë asnjë version zyrtar për këtë ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›