E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush është serbi Sllobodan Tesiç, që ka bërë tregti armësh me Arben Imamin?

Emri i trafikantit të paligjshëm të armëve Sllobodan Tesiç nuk është i panjohur për Departamentin Amerikan të Shtetit.

Mbi te gjitha, ai ishte përfshirë në listën e zezë të Kombeve të Bashkuara, përmes rezolutës 1521 të Këshillit të Sigurimit. Ai përmendet në disa prej kabllogrameve të ambasadës amerikane në Jemen, që i janë dërguar Uashingtonit. Në njërin prej tyre, ai që mban datën 14 dhjetor 2009, i shkruar nga ambasadori amerikan, Stefen Sece, thuhet se kompania e trafikantit serb, Sllobodan Tesiç “Moon Storm Enterprises LTD” nënshkroi një marrëveshje armesh prej 78 milion dollarësh me Ministrinë e Mbrojtjes së Jemenit. Ishte pikërisht kjo periudhë kur ish-presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh kishte zbuluar opozitën e këshilltarëve të tij të ngushtë, çka kërcënonte pushtetin e tij.

Jemeni në vitin 2011 ishte në zinxhirin e vendeve që përjetuan Pranverën Arabe, ku protestuesit kundërshtuan pushtetin 33-vjeçar të Ali Abdullah Saleh. Armët, për të cilat ishte firmosur- duke iu kthyer kabllogramës- do të mbërrinin në Jemen në janar të 2010, sipas ambasadës bullgare në Sanaa. Kontrata prej 34 faqesh përfshinte; armë të vogla, artileri të rëndë, snajper, pajisje demontimi, anti-ajrorë etj. Ambasada bullgare pretendonte- siç shkruan kabllogrami- se ‘Moon Storm Eterprises’ dhe drejtori i saj Goran Andriç janë të lidhur me Slobodan Tesiç, i përfshirë në rezolutën 1521 të OKB-se, i cili -vitet e fundit- kishte bërë disa udhëtime në Jemen lidhur me këtë kontrate.

Nga ana tjetër Bullgaria shpresonte nga Uashingtoni të ndalonte zbatimin e kësaj kontrate armësh duke iu hapur kësisoj rrugën prodhuesve bullgarë të armëve, të cilët do të garantonin të tilla pajisje. Në kabllogramin e 22 dhjetorit 2009, Departamenti Amerikan i Shtetit kërkon të verifikojë raportimet me qeverinë e Jemenit dhe i kërkon këtij vendi të mos merren me individë të tillë, të përfshirë në listën e zezë të Këshillit të Sigurimit.

Kush është Tesiç?

Sllobodan Tesiç ka lindur me 21 dhjetor të vitit 1958. Ka kombësi serbe dhe një pasaportë me numër 004362756. Ekziston një listë e gjate krimesh të lidhura me këtë person, i cili ka furnizuar me armë Irakun dhe Liberinë, regjime terroriste duke shkelur embargot e armeve të OKB-së.

Në vitin 2005 u përpoq të hynte në Bullgari, por duke iu referuar rezolutës 1521 e Këshillit të Sigurimit që e përfshinte në listën e zezë, ai u kthye në Serbi. ‘Moon Storm Enterprises’, kompania e lidhur me të- ishte regjistruar në Qipro. /TCH


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›