Kush i tha Enver Robellit në Kosovë se do të kontestohen zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri
(Një debat me shkas në Facebook mes meje dhe Enver Robellit)
Ditën e vizitës së presidentit Nishani në Kosovë Enver Robelli shkruan në faqen e tij: "Këto vizitat e politikanëve të Shqipërisë në Kosovë dhe anasjelltas janë shndërruar në shëtitje bajate dhe kryesisht shoqërohen me demagogji. Ardhacakët nga Tirana lavdërojnë “të arriturat” në Kosovë, këta “tanët” shkojnë në Tiranë për t’u falënderuar për “angazhimin e Shqipërisë”. Me këso formulimesh jokonkrete provohet t’i hidhet hi në sy opinionit. Realiteti? Shqipëria për çdo ditë largohet nga perspektiva evropiane, që tani mund të thuhet me siguri se edhe zgjedhjet e ardhshme do të kontestohen. Kosova nuk ka liberalizim vizash, në pushtet është një parti me vota të vjedhura dhe me një bagazh akuzash që shkojnë prej manipulimit të tenderëve deri te vrasjet. Në të dy vendet politikanët kryesorë janë vetëm masha të grupeve të biznesit dhe mafies, shpeshherë të lidhur me oligarkë grekë dhe serbë. Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri rroga mesatare është ndër më të ulëtat në Evropë, ndërsa politikanët renditen te më të pasurit në kontinentin e vjetër. Zor të ketë politikan perëndimor që gjatë mandatit ndërton shtëpi prej gati 1000 metra katrorë (si puna e Hashim Thaçit) ose të ndërtojë vilë luksoze për të birin (si puna e Sali Berishës). Të huajt i dinë këto, andaj i lënë të shkëmbejnë vizita dhe të luajnë rolin e shtetarëve brenda torishtës politike shqiptare. Dhe për të luajtur këso rolesh nuk ka figurantë më të mirë se Zarifja dhe Nishani. Fundja, me diçka duhet të mashtrohen edhe kalamajtë me trup të rritur". Rexhep Shahu: "Enver, je ndër penat shqipe që unë respektoj shumë. Por në tekstin më sipër më duket se je vu në rolin e zotit dhe ke sy me pa gjithçka që nuk e sheh tjetër kush. Por ndërkohë, siç lexoj në tekstin tënd, gjithë shqiptarët e hapësirës Kosovë - Shqipëri janë viça por nuk i len hunda me kullotë. Po më duket se ke marrë kosën në krah dhe po i grah me kositë pyllin mbarë ku nuk ka veç kullosë, bar e barishte të këqija, por ka edhe dru e lisa. Respekt për ju dhe penën tuaj". Enver Robelli : "Zotni Rexhep, ju nuk po kontestoni asgjë në shënimin tim, por po përpiqeni qe diçka që unë nuk e kam thëne te ma amputoni mua... Siç e shihni edhe nga reagimet: njerëzit sidomos ne Kosove (flas për ata qe kane mendje kritike) janë ngopur me këso vizitash pa asnjë efekt, vetëm sa për sy e faqe dhe vetëm për te treguar qe "jemi shtete", duke i nxjerre nja dy policë me uniforma solemne ne zhegun e mesditës... Edhe në rastet kur nuk pajtoheni, është shume mire te përpiqeni te gjeni argumente kundërshtuese dhe jo te hidhni fjale në hava... Çdo të mirë, E.R.". Rexhep Shahu : "Miku im, Enver. Po me çudit me gjithë këtë dëshpërim që të paska shkaktuar vizita e Bujar Nishanit në Kosovë. “Shëtitje bajate” nuk me duket vizita e presidentit të Shqipërisë në Kosovë, më vjen keq Enver. Presidenti i Shqipërisë, sado e vogël, e vobektë, vorbë krimi që mund të të duket ty Shqipëria, është president i Shqipërisë, i zgjedhur nga parlamenti i Shqipërisë si përfaqësues i sovranit dhe Shqipëria me atë zgjedhje pohoi se nuk mbeti peng as i mafies dhe as i askujt por pohoi sovranitet. Vizita e tij e parë jashtë vendit për në Kosovë, mendoj duhet respektuar. Qoftë edhe si vizite për me pi kafe me shqiptarë në atë copë Shqipërie. “Ardhacakët” e Tiranës normal që kanë çfarë lavdërojnë Kosovën sepse edhe nëse nuk duam ne të dy, Enver, Kosova ka do arritje. Së paku qeveriset prej shqiptarëve, të mirë apo të këqij, janë shqiptarë. Dhe arritja tjetër që shihet është se po jetësohet ëndrra e Rugovës, po kryhet Udha e bashkimit fizik të Kombit tonë. Edhe me pas sytë e zotit, siç të thashë, nuk mundesh me më bindë mua dhe shumëkënd si mua se “Shqipëria po largohet çdo dite nga perspektiva evropiane”. U bë një kod zgjedhor i lavdëruar nga bota dhe miqtë që na monitorojnë e këshillojnë. Ti po thua “qe tani me siguri se edhe zgjedhjet e ardhshme do të kontestohen”. Këtë ose ta kanë thënë shërbimet e ndryshme sekrete të huaja ose ta ka thënë Edi Rama. Ose duhet të pranosh se je jo si zoti, por je zoti vetë që din dhe parasheh gjithçka të kësaj toke. Ose, po hedh fall ne kaci dhe duhet me u trishtue prej këtij paracaktimi, paravendosje, parathënie. Shqipëria as Kosova nuk kanë qenë parajsa dhe tash po bjerren, nuk kanë qenë ylli ndriçues dhe po shimen kadalë, por kanë qenë ashtu siç kanë qenë, siç e dimë të gjithë shqiptarët se si kanë qenë. Por absolutisht janë shumë më mirë se sa kane qenë në kohën e emnakut tënd Enver dhe të shokut Tito. Rrogat janë ndër më të ulëtat në Evropë vërtetë, por vijmë si vendet më të varfra në Evropë dhe nuk u bëmë të tilla këto dy dekada, apo jo. Dhe në dy dekada ne nuk mund të bëheshim fanarë ndriçues të Evropës. Atë shtëpinë e Hashimit 1000 metra katrore nuk e di. Nuk di sa e si është e vërteta. Por di se shtëpia 1000 metra katrore ka me mijëra e mijëra në Kosovë. Sa për vilën luksoze të djalit të Sali Berishës nuk di gjë si e sa është e vërteta, por Sali Berisha nuk ka djalë në djep të cilit i ka lënë vilë, por ka djalë qe ka shumë vite që punon dhe vila në Shqipëri ka me mijëra e mijëra. Por nuk i vë duart në zjarr as për vilën e as për shtëpinë. Duhet me pas informacion të saktë dhe jo me u ra borive të opozitës vetëm se na pëlqen melodia. Edhe kjo lidhja me oligarkë grekë dhe serbë, do të ishte mirë për formatin tënd dhe të penës tënde të mos lëshohej si lopa baglën. Se kësaj i bie që në Shqipëri e Kosovë njerëzit janë berra dhe kanë votuar dhe u kanë dhënë votat tradhtarëve, spiunëve të serbit e të grekut. Zot na ruj prej spiunëve. Më vjen keq për dëshpërimin tënd, të shkaktuar nga vizita e Nishanit në Kosovë. Por është mirë, të siguroj. Është më mirë se sa sikur te mos kishte mundësi të vinte atje presidenti i Shqipërisë qoftë edhe për me pi një kafe me Hatifeten. Siç nuk ka patur mundësi të vijë atje para vitit 1999 askush nga liderët e Shqipërisë. Nëse ty Enver të vjen keq, po me çuditë. Po, edhe vetëm me thane se jemi dy shtete ia vlejnë këto vizita. Edhe me ia plas vetëm pak zemrën Serbisë. A nuk ka ëndërruar dhe a nuk është përgjakë boll Kosova vetëm për me qene shtet më vete. Ja u be shtet më vete. Shyqyr zotit. Faleminderit Amerikës, NATOS, faleminderit gjakut të shqiptarëve që dolën në luftë si rrallë kund në botë pa pas në krye asnjë komandë, asnjë shtet, asnjë organizim shtetëror por vetëm prej dashurisë për lirinë dhe Kosovën e pavarur, shtet më vete. Mbetsh me shëndet miku im Enver". Enver Robelli : "Z. Rexhep, i keni ngatërruar 500 sende, plus përdorni një gjuhë të padenjë publike ("lope, bagla") - unë nuk e di prej çfarë ambienti po shkruani ju, por do te ishte mire qe për shkak te higjienës publike te përpiqeni te silleni si evropian dhe njeri i kulturuar, nëse jeni te brumosur me kulture komunikimi. Nuk fola vetëm për vizitën e Nishanit, ai është i mirëseardhur si çdo president tjetër. Fola për vizitat kot se koti ne relacionin Prishtine-Tirane. Ju duhet ta dini se për ketë në Kosovë ekziston një vetëdije dhe një opinion kritik. Ka pasur komente edhe me herët për ketë pune, ka pasur edhe kritika ndaj ministrave kosovare qe harxhojnë pare për te marre pjese ne dofare konferencash ne Gryken e Valbonës. "Faktet" qe ju i përmendni për te arriturat e Kosovës janë vërtet absurde: Ju thoni "se paku qeveriset prej shqiptareve". Sipas kësaj logjike nuk ka asnjë problem ne janë vjedhës, keqpërdorues, vrasës, atëherë ne këtë fryme le ta shpallim hero mbi Skënderbeun edhe Esad Pashe Toptanin, siç po tenton Sali Berisha me shpurën e tij publicistike. Ju mund te jeni i frustruar qe ne Kosove ka edhe te tille qe nuk i duartrokasin symbyllur Sali Berishës. Nuk ju kuptoj ç’doni te thoni me referencën "emnaku yt Enver" - çka ka lidhje kjo me debat? A te filloje unë tash t’ua karikoj emrin? S’e bej dot se nuk është temë kjo. Ne Kosove vërtet ka shume shtepi me mbi 1000 metra katrore, por ato janë te ndërtuara shpesh me djersen e pronareve te tyre dhe jo me para tenderësh dhe kanalesh te tjera te errëta financiare si shtëpia e Hashim Thacit. Kur juve nuk ju pëlqen diçka, ju me akuzoni se "paskeni folur me sherbime sekrete": a nuk e shihni këtë ju si pasoje qe ua ka lënë diktatura, pra sahere qe nuk pajtoheni me dike, menjëherë akuza "poliagjent". Nuk e di po ashtu prej nga e merrni lirine te me quani mik, nuk ju njoh personalisht, nuk kam pasur kurrë një komunikim me ju, nuk di asgjë per ju. Ne jemi vetëm të lidhur ne F.B. dhe ju mund te keni lexuar dicka nga une, me kaq mbaron muhabeti. Unë nuk ju njoh nga asnje shkrim, kjo mund te jete mangësi e imja, por kështu është. Sa i përket lidhjeve te pushtetit ne Shqipëri me biznesmenë greke e serbe - per kete ka shume dëshmi, disa prej tyre i ka prezantuar gazeta Zeri ne Prishtine (lobi i energjisë). Une natyrisht dua qe Shqipëria te ketë zgjedhje te ndershme, por nëse per 20 vjet asnje pale zgjedhje nuk kane kaluar pa gjak dhe pa akuza për vjedhje, atëherë duhet te jemi skeptik edhe për zgjedhjet e ardhshme. Ju mund te me skiconi mua si mbështetës te opozitës ne Shqipëri, por kjo është vetëm paranoje e juaja, nuk kam ndonjë mendim te veçante vlerësues as për Edi Ramën, të cilin ju me gjasë e shihni si djall e Berishën si engjëll... Fjalia me qesharake në shënimin tuaj është ajo ku thoni se këto vizita duhet te bëhen per t’ia plasur zemren Serbise... Atehere ju uroj zemerplasje te metutjeshme... Veçse me kete logjike nuk ecet asnje milimeter perpara... Serbise i plaset zemra kur nuk merr tendere ne Tirane e Prishtine e jo me vizita kot...". Rexhep Shahu : "Gjithçka është krejt në rregull Enver. Ta vë para emrit tënd Enver fjalën “zoti” më shpërthen gazi. Ta vë fjalën “shoku” me duket se të fyej se del shoku Enver pastaj. Ndaj të thashë drejt Enver. Ne vërtetë nuk jemi miq në përditshmëri, por jemi miq në Facebook dhe ndaj të kam thënë mik. Por nuk kam bo lloç me të mbetë këpucët në të, pse të kam thënë mik se ne nuk jemi armiq. Ky ishte nje sqarim për miqtë tanë në FB. Gjuhën e di se e kam pak të lëshueme e të palame dhe përdori edhe kur shkruaj fjalë që i përdorin rëndom njerzit, por besoj se i kuptojnë njerzit e gjithë botës fjalët lopë, bagla etj, me mire se sa fjalën amputoj psh. Kam mangësi për të qenë europian duke dashtë me qenë shqiptar, kam bajagi mangësi në kulturën e komunikimit edhe pse këtë zanat kam. Por nëse ke jetue në Kosovë në ato mote kur duhej me fjete gjumë dhe nuk lejohej me mshele dyet e shtëpisë natën…, duhet të bindesh se sot më mirë është që qeverisemi nga shqiptarët, qofshin hajna e shakllabanë. Janë më të mirë se hajnat e shakllabanat serbë. Apo jo. Nejse, ti thue jo e unë them po. Unë them është më mirë, ti thue është më keq. Prandaj, liria e pavarësia e Kosovës, qeverimi i saj prej shqiptarëve, ndërtimi i Udhës së Kombit – autostradës Ibrahim Rugova, nuk janë kurrë absurde edhe pse ti i quan absurde. Dhe për fund, se nuk do ta tjerri më gjatë pasi thumbi një maje nxjerr edhe me i ra 100 herë, dhe tirqit me një kile boje ngjyhen edhe pse mund ti hedhim 5 kile, do te ishe në rregull me mua me ma thënë sakllam ku e ke hedhe këtë fall, kush ta ka thënë këtë fjali : “Shqipëria për çdo ditë largohet nga perspektiva evropiane, që tani mund të thuhet me siguri se edhe zgjedhjet e ardhshme do të kontestohen”. Ku e mësove, kush ta tha. Na bën nder me e ditë edhe ne qe të bëjmë petkat gati e t’ia mësyjmë për në ekzil. Të uroj shëndet e fat". Enver Robelli : O burrë, ju si duket nuk dini te largoheni nga karikimet bajate. Unë me korrektësi ju drejtohem z. Rexhep për një arsye te thjeshte: këtu është debat publik, ju nuk e di pse silleni e mbështilleni me histori emrash, por me gjase nuk keni ar gumente për të debatuar. Që keni gjuhë të “palame” - këtë mund ta kultivoni ne rrethin i cili e pranon gjuhen e tille, ketu ka te tille, si puna ime, qe nuk ta pranojnë ketë gjuhe. Eshte bizare se si merreni me shpifje. Ne asnjë rrethane nuk jam kundër asnjë projekti infrastrukturor qe lidhe e afron shqiptaret ne Ballkan, por jam kundër qe “projektet kombëtare” të shfrytëzohen për vjedhje parash të buxhetit, siç është vepruar me të ashtuquajturën Rrugë e Kombit. Sa përralla dhe sa plaçkitja është bërë në emër të nacionalizimit - nuk ka fund. Se nacionalizimi, ketë e kane thëne disa me të mençur se unë, është streha e përhershme e horrave. Sikur te kishte Shqiperia drejtesi te pavarur se paku nje dyzine politikanesh do shkonin ne burg per te gjitha vjedhjet ne emer te Rruges se Kombit (ky nuk është vetëm mendim imi, por edhe i se paku tre ambasadoreve perëndimore, qe kane shërbyer deri se fundi ne Tirane). Prej nga guximi juaj te shpifni qe unë gjoja e quaj autostradën I. Rugova absurde - i quajta vizitat kot se koti absurde ne relacionin Tirane-Prishtine. Ta shpjegova shume mire qe është makabre për një vend qe për 20 vjet nuk arrin te organizoje zgjedhje dhe për 20 vjet numërohen edhe te vrare per pune votash. Sa për krahasimet që i bëni se tash është me mire se dikur, po eshte e sakte, p.sh. tash eshte me mire se ne kohen e pushtimit nga Perandoria Osmane, tash eshte me mire se ne kohen e pushkatimit te intelektualeve nga regjimi i Enver Hoxhes - por pse vazhdimisht i referoheni te kaluares - pse nuk pyesni veten se si u be qe Shqiperia te mbetet e fundit ne trenin e integrimeve evropiane, ndonese per dallim nga vendet e tjera te ish-Jugosllavise nuk ka kaluar neper luftera ne keto 20 vitet e fundit...?! Edhe dicka: mua me duket qesharake kur ju perpiqeni te me tregoni mua dhe te gjithe shqiptareve te Kosoves se si ka qene gjendja ne Kosove nen regjimin serb dhe se si ne krahasim me atehere tash qenka parajse... Une nuk jam aq arrogant dhe mendjemadh qe t’ju them juve: ç’dreq e duruat Enver Hoxhen nje gjysme shekulli, pse nuk treguat pak dinjitet kryengrites? Per kete ne nga Kosova nuk kemi te drejte te japin leksione, por e njejta vlen edhe per juve, qe Kosovën e shikoni me shume sipas modes folklorike - e kjo mode ne te kaluaren ka ndryshuar disa here, per shembull kur Ibrahim Rugova (ai qe ju aq shume po e lartesoni tash) as qe deshironte ta takonte Sali Berishen, i cili permes zerit te Reis Cicos ne TVSH ne vitin 1996/97 u bente thirrje kosovareve t’i bashkangjiten demonstrateve te opozites serbe per t’i ndihmuar triumfit te demorkacise ne Serbi! Nuk e kishte atebote Berisha hallin te demokracia ne Serbi, as te Kosova, por te zhvendosja e vemendjes nga kriza e piramidave, e cila me vone eskaloi ne kryengritje me elemente puçiste te opozites, lufte vellavrasese dhe me demontim te shtetit shqiptar. Nese me lejohet t’ju jap nje keshille: kur shkruani, eshte ne te miren tuaj t’i matni fjalet dhe te sillni argumente, ne menyre qe te mos thelloheni edhe me shume ne moçal, duke dashur te ngritni veten ne piedestal. Qofte ky edhe piedestal imagjinar. Cdo te mire, E.R. Rexhep Shahu Më duhet të të them Enver, asgjë nuk shpika, por gjithçka e kam lexue në tekstet e tua. Nëse ke harrue çfarë ke shkrue, mundesh me i lexue prapë. Dhe unë po komunikoj me ty se je Enver Robelli, je dikushi, të ka peshë fjala dhe nuk je lapa gjethi. Pastaj kush të paska thënë ty se jane vjedhë paratë e buxhetit te Udha e Kombit? Zëdhënien e kujt po bën padashje? Ani bëje, nuk ka dert. Ti i ke quajte vizitat si atë të Nishanit “shetitje bajate”. Ti ke shkrue : Shqipëria për çdo ditë largohet nga perspektiva evropiane, që tani mund të thuhet me siguri se edhe zgjedhjet e ardhshme do të kontestohen. Unë thjeshtë të pyes prape: Kush të ka thënë… Kaq. Ti mos u dëshpëro pse po te pyes.
...