E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita bllokatore, s’vjen në pushtet as në vitet ‘30

02-09-2012 / Gazeta 55

Kryeministri e ka etiketuar kreun e PS-së Edi Rama si një Don Kishot, lufton me mullinjtë e erës duke u ngritur çdo ditë kundër bizneseve vendase dhe të huaja me letra të hapura të stilit të Enver Hoxhës. Për Berishën shembulli më i mirë janë qëndrimi i mbajtur nga opozita dhe votimi i saj kundër rrugës së Kombit, qëndrimi i saj kundër ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan, apo edhe qëndrimi më i fundit i tre muajve më parë i saj për shtesat e domosdoshme që duheshin bërë për ndërtimin e rrugëve të Jugut, Levan-Vlorë, Levan Tepelenë

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje gjatë përurimit të rrugës Armath- Hamallaj- Hidrovor financuar nga qeveria shqiptare me vlerë 172 milionë lekë se, opozita ka tentuar të bllokojë investimet strategjike të qeverisë shqiptare siç janë rruga e Kombit, autostrada Tiranë-Elbasan, Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë apo dhe investimet në zonat turistike. Për të përforcuar qëndrimin e tij, shefi i ekzekutivit iu referua tentativës së Partisë Socialiste për të bllokuar në parlament, buxhetin që financon një nga segmentet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, i cili afron në vetëm pak minuta Tiranën dhe Elbasanin. Gjithashtu, i njëjti instrument bllokues u përpoq të vihej në jetë edhe për rrugën e Kombit, Durrës-Kukës-Morinë. Ndërsa, po me të njëjtin intensitet, atë të bllokimit, Partia Socialiste akuzon dhe kërcënon investimet e huaja, në përpjekje për të ringjallur fantazmat e Enver Hoxhës, kundër bizneseve të huaja në Shqipëri.
“Le të kthehemi pak gjatë këtyre viteve, se çfarë qëndrimi mbajti opozita dhe se si votoi kundër rrugës së Kombit. Çfarë qëndrimi mbajti opozita dhe se si e mbajti parlamentin deri në 5 të mëngjesit kundër ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan. Se çfarë qëndrimi mbajti opozita, tre muaj më parë për shtesat e domosdoshme që duheshin bërë për ndërtimin e rrugëve të Jugut, Levan-Vlorë, Levan Tepelenë. Po rrugët janë interesi jetik i të gjitha shqiptarëve pavarësisht nga bindjet e tyre partiake, e të gjithë atyre që votojnë, e të gjithë atyre që nuk votojnë. Interesat  e kujt mbrohen duke u përpjekur të pengosh ndërtimin e tyre? Shqipëria ka dalë në krye të investimeve të huaja për frymë, çka është një fat i madh sepse këto investime krijojnë me dhjetëra e mijëra vende pune. Të ngrihesh çdo ditë kundër tyre, të bësh letra të hapura të stilit të Enver Hoxhës kundër bizneseve të huaja, bën një Don Kishot të vërtetë me mullinjtë e erës. Por janë fatlumë ata dhe vendi që këto nuk varen nga tre të pestat, këto nuk mund të bllokohen. Dhe e vërteta është se sa më shumë t’i sulmojnë këta shokë investimet e reja, aq më larg i largohen pushtetit edhe deri në vitet 30 po vazhduan në këtë mënyrë”, u shpreh Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›