E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush ishte Aleksandër Hamilton, babai i Kushtetutës amerikane

Me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Amerikës. Profil për një nga themeluesit më të shquar të shtetit amerikan

Nga Albana Lifschin

alexanderhamiltonAleksandër Hamiltoni, ndër themeluesit e shquar të shtetit amerikan është njëkohësisht edhe një nga figurat më komplekse për shkak të personalitetit të tij kontradiktor. Ai mbërthente në vetvehte zgjuarsinë, prakticitetin, kokëfortësinë, marrëzinë e romantizmit që e la të dashuruar gjithë jetën, ndjeshmërinë për të rrezikuar edhe jetën për mbrojtjen e nderit të vet.
Sipas historianit Geoffrey C. Ward “Hamiltoni ishte jo vetëm Sekretari ynë i parë dhe më i madh i Thesarit, por edhe i dyti, (pas Uashingtonit) përsa i përket kontributit në krijimin e vendit nga bashkimi i 13 shteteve antagoniste ”

Hamiltoni ishte një filozof revolucionar, një ushtar, mbrojtës i Kushtetutës Amerikane që ai krijoi por nuk e admiroi, një gjeni në fushën e financës me idera që ndihmuan në forcimin e ekonomisë së SHBA në vitet e para të jetës së vet.
Megjithëse fëmijëria e Aleksandër Hamiltonit të kujton tregimet e heronjve të varfër të Çarles Dikensit, ajo ndikoi në rritjen tek ai të një personaliteti të fortë, të vendosur për të kapërcyer vështirësitë e jetës e për të dalë mbi to. Ai ishte djali ilegjitim i një tregtari, fakt i cili nuk i dha asnjëherë Hamiltonit ndjenjën e inferioritetit. Në të kundërt, ai thoshte që “gjaku im është po aq i pastër sa edhe i atyre që mburren me paraardhësit e tyre.”
Që në rininë e tij Hamiltoni shfaqi aftësi të jashtëzakonshme në problemet financiare. Kjo i tërhoqi vëmendjen punëdhënësve të tij të cilët e dërguan në universitet. Gjatë viteve studenteske, në universitetin e Nju Jorkut që sot mban emrin Kolumbia, studenti Aleksandër Hamilton u bë njëkohësisht edhe përkrahës i revolucionit amerikan. Kur një besnik i mbretit anglez kritikoi Kongresin e Parë Kontinental, Hamiltoni shkroi dy pamflete të fuqishëm ku shpallte pikëpamjet e tij të cilat ishin për respektimin e të drejtave të kolonive amerikane nga Anglia, të drejta që ai i quajti “të shenjta”

Në vitin 1776, Aleksandër Hamiltoni u bashkua me ushtrinë revolucionare të Xhorxh Uashingtonit si kapiten i artilerisë. Ai i shërbeu ushtrisë me kaq trimëri e devocion saqë Uashingtoni e mori në shtabin e vet si ndihmësin e tij, në rangun e kolonelit.
Xhorxh Uashingtoni mbështetej në këshillat e Aleksandër Hamiltonit që nga stafi i gjeneralit mori shumë shpejt nofkën “luani i vogël’. Me gjithë devocionin për komandantin, Hamiltoni ishte i etur për lavdinë e tij private, të cilën sipas mendimit të tij, mund tia jepte vetëm beteja. Në fund të vitit 1781 ai u vu në krye të regjimentit të Nju Jorkut. Largimi i Hamiltonit nga shtabi i Uashingtonit krijoi një farë “thyerje” midis tij dhe gjeneralit, e cila u riparua pas mbarimit të luftës. Si komandant i regjimentit të Nju Jorkut, Hamiltoni u shqua në rrethimin e ushtrisë britanike dhe dorëzimin e saj falë taktikës së një komandanti të zgjuar siç qe ai.
Pas lufte, në korrespondencën e tij me njerëzit më me influencë të kohës Hamiltoni shprehte pikëpamjet e tij për një qeveri amerikane me pushtet qendror të fortë që do të siguronte forcimin e vazhdimësinë e vëndit. Mirëpo në mbledhjen për hartimin e Kushtetutës në Filadelfi (25 Maj 1787) Hamiltoni u zhgënjye kur pa që si rezultat i debateve, qeveria nuk do të ishte ajo që mendonte ai. Shumë delegatë, ndryshe nga ai, ishin kundër idesë së një qeverie të fortë federale pasi i trëmbeshin abuzimit që mund t’i bënte ajo pushtetit të saj në kurriz të shteteve të veçanta. Biografi i tij Nathan Schachner thotë se Hamiltoni e kishte të vështirë të bënte kompromis. Sipas tij, “ose e gjitha, ose asgjë.” Megjithatë Hamiltoni e la mënjanë pakënaqësinë e tij dhe sëbashku me Xhejms Medisonin dhe Xhon Xhejin shkruan 85 artikujt në gazetën “Federalisti” në mbështetje të Kushtetutës. Autorët shpjegonin pjesë të veçanta të saj për ta bërë atë të njohur e lehtësisht të kuptueshme nga njerëzit. Nga 85 shkrimet e botuara në gazetën “Federalisti”, 50 artikuj, duke përfshirë këtu edhe të parin fare, ishin shkruar nga Aleksandër Hamiltoni. Për këtë arsye shpesh Hamiltonit i referohen si baba i kushtetutës amerikane. Me fjalën e tij bindëse ai kontribuoi  më shumë se kushdo tjetër për ratifikimin e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Hamiltoni bindi Xhorxh Uashingtonin të pranonte presidencën pasi shikonte tek ai pikërisht kandidatin më të përshtatshëm, si udhëheqës i parë për vendosjen e bazave të forta të shtetit të ri amerikan. Uashingtoni e emëroi Hamiltonin sekretar të thesarit.
Kur Hamiltoni filloi punën e tij në këtë post, shteti i ri amerikan i kishte rreth 11 milion dollarë borxh shteteve të huaja dhe reth 40 milion dollarë shtetasve të vet. Financat e vendit ishin në çrregullim të plotë. Ekonomia e shteteve te veçanta po përpiqej t’i përshtatej ndryshimeve që rezultuan pas indipendencës. Në postin e sekretarit të thesarit, Hamiltonit i u dha rasti të vinte në zbatim idetë e tij gjeniale që kishte ushqyer në mendjen e tij ndër vite. Hamiltoni besonte në forcimin e pushtetit qendror federal gjë që binte në kundërshtim me pikëpamjet e Tomas Xhefersonit, i cili qe sekretar i shtetit. Tomas Xhefersoni në të kundërtën, mendonte që zyrtarët federalë duhet të kenë sa më pak kontroll mbi shtetet e veçanta. Kjo mbeti një vijë demarkacioni midis dy kokave të shtetit.

Leonard Uajt (ekspert në historinë e administrimit publik në SHBA) e ka quajtur Hamiltonin “administratori gjeni”

Në dhjetor 1790 Hamiltoni propozoi krijimin e një banke kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që t’ua bënte më të lehtë bizneseve për tu mëkëmbur duke marrë hua nga shteti. Në këtë mënyrë ekonomia do të fillonte të stabilizohej. Xhorxh Uashingtoni hezitoi fillimisht ta firmoste ligjin për bankën pasi nuk ishte i sigurtë nëse ishte në përputhje me Kushtetutën. Xhefersoni ishte kundër këtij propozimi për të njejtën arsye. Hamiltoni argumentoi që propozimi ishte i ligjshëm se inkludohej në doktrinën e “pushtetit të nënkuptuar.” Në interpretimin e Kushtetutës Hamiltoni doli fitimtar që në betejën e parë dhe Uashingtoni firmosi ligjin për krijimin e bankës. Kongresi e aprovoi propozimin e Hamiltonit brenda dy muajve.
Në janar të vitit 1791, Hamiltoni propozoi emetimin e një monedhe të vetme në rang kombëtar e jo siç kishte qenë deri atëhere, që çdo shtet kishte monedhën e vet. Hamiltoni ishte për vendosjen e tarifave mbi mallrat e huaja që hynin ne SHBA siç u shpreh ai për të mbrojtur industrinë amerikane. Taksa shteti i ri vuri edhe mbi disa produkte në vend siç ishte uiski i cili shkaktoi rebelimin e disa fermerëve. Hamiltoni e bindi Uashingtonin që rebelimi duhej shtypur për ti mësuar njerëzit të respektonin ligjin.

Hamiltoni mbeti gjithnjë aktiv në jetën politike. Ai mbante marrëdhënie të ngushta me Xhorxh Uashingtonin dhe ndihmoi ish presidentin për të shkruar fjalën e tij të lamtumirës. Në vitin 1797 kur Franca dhe SHBA dukeshin në prag të luftës, Kongresi i kërkoi Xhorxh Uashingtonit të vihej në krye të një ushtrie të re. Ai ra dakord por vetëm me kusht që komandant aktual i ushtrisë të ishte Aleksandër Hamiltoni. Aleksandër Hamiltoni u tregua entuziast për shfaqjen e këtij rasti. Por lufta me përjashtim të disa betejave të vogla detare nuk mori ato përmasa që mendohej. Kështu që të dy burrat e shquar u rikthyen në jetën e tyre private përsëri. Në zgjedhjet presidenciale të 1800 roli i Aleksandër Hamiltonit u bë vendimtar. Dy kandidatët për presidentë ishin Tomas Xheferson dhe  Aron Bërr (Aaron Burr) të cilët kishin fituar një numër votash pothuaj të barabarta. Alek

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›