E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush po tenton t'i zhvasë biznesmenët? Mashtruesit që hiqen si zyrtarë të shtetit dhe kërkojnë milionat, dy rastet që parandaloi Policia

Kush po tenton t'i zhvasë biznesmenët? Mashtruesit që hiqen

Bedri dhe Albert Vodha, babë e bir, janë lënë në burg nga togat e zeza të Tiranës pasi kanë tentuar t'i marrin përmes mashtrimit një shumë prej 100 mijë eurosh një biznesmeni ndërtimi. Në kërkim është shpallur dhe i akuzuari si organizator, shtetasi Florian Gjergji.

Newsbomb.al mëson se ka qenë fillimisht Gjergji ai që i është prezantuar biznesmenit të njohur të ndërtimit si zyrtar i lartë i shtetit. Madje, ai ka përdorur emrin e një politikani të lartë në kryeqytet, duke i thënë se i duheshin 100.000 euro.

Këto komunikime janë zhvilluar në aplikacionin "Telegram", i përdorur kryesisht për komunikime "sekrete" dhe i njohur për sigurinë e lartë. Florian Gjergji i ka shkruar biznesmenit të ndërtimit Ramë Geci me një numër anglez, duke i thënë se i duheshin lekët në këtë periudhë zgjedhore.

“Lali jam, e di si e kam situatën në këto kohë, a ke mundësi për 100?”,- shkruhej në mesazh.

Mirëpo, pas verifikimeve që biznesmeni ka kryer privatisht, ka mësuar se personi që po i shkruante në anën tjetër të telefonit nuk ishte politikani që pretendohej dhe ka vënë në dijeni Policinë e Shtetit. Janë vënë në lëvizje disa drejtori të rëndësishme dhe Forca Operacionale, të koordinuara nga Drejtoria Qëndrore e Policisë së Shtetit dhe biznesmeni është udhëzuar të vazhdojë komunikimin.

"Nuk i kam 100, 70 të bëjnë punë?", i ka thënë Geci shtetasit Florian Gjergji, duke ndjekur udhëzimet e agjentëve. Organizatori i kësaj veprimtari ka rënë dakord dhe ka dërguar në zyrat e kompanisë së këtij biznesmeni babë e birë, shtetasit Bedri dhe Albert Vodha. Sapo kanë marrë qesen me para, ka ndërhyrë Operacionalja dhe i ka prangosur në kushtet e flagrancës.

Kaq fatlum nuk ka qenë në biznesmeni tjetër i ndërtimit Pëllumb Salillari. Ky i fundit është mashtruar të paktën katër herë dhe vetëm herën e fundit ka arritur të kuptojë se kishte të bënte me një grup personash që pretendonin se ishin zyrtarë të shtetit.

Mbrëmjen e 5 janarit 2023, rreth orës 22:30 të mbrëmjes në aplikacionin “Signal” në telefonin e biznesmenit Pëllumb Salillari, mbërriti një mesazh nga një kontakt me emrin “Edi”.

Biznesmeni i është përgjigjur pas disa minutash me fjalët “Mire shef si jeni?”, duke treguar se e ka njohur dërguesin e atij mesazhi. Pas përgjigjes, kontakti me emrin “Edi” ia kthen “Doja me të thënë dicka, por po i them dikujt tjetër”.

Këtu, Pëllumb Salillari kupton se po tentonin ta mashtronin dhe vendosi të njoftonte Policinë dhe të rrëfente gjithçka po i ndodhte. Nga hetimi rezultoi se shtetasit Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç kishin mundur të ndërhynin në rrjetin Signal dhe t’i shkruanin biznesmenit të njohur. Këto mesazhe atij i shfaqeshin me dërgues kontaktin me emrin “Edi”.

Në fakt, në të vërtetë bëhej fjalë për një numër anglez që personat e përdornin për të zhvatur para nga biznesmenë të ndryshëm. Policia i kërkoi Salillarit të vijonte bisedën dhe të linte takim me personat që i shkruanin.

Salillari i shkruan më tej tekstshkruesit: Më thuaj të lutem pa problem.

Personi i shkruan: Ia jep dot robit 150 000 euro dhe rregullohemi.

Për të bërë të mundur arrestimin e mashtruesve Salillari udhëzohet të lërë takim me ta. Me vendim të Prokurorisë së Tiranës u tërhoq nga llogaria e Ministrisë së Brendshme shuma prej 150.000 eurosh, brenda së cilës u vendos GPS për ta gjurmuar. Në momentin e takimit, sikurse ishte lënë mes palëve, në shtëpinë e biznesmenit Pëllumb Salillari mbërrin një person dhe merr lekët.

Kur të dyshuarit po largoheshin, Policia ndërhyri dhe bëri arrestimin në kushtet e flagrancës, bashkë me paratë që sapo kishin marrë. Në shtëpitë e autorëve Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç janë kryer kontrolle dhe u gjetën shuma të konsiderueshme parash, mbi 120.000 euro, të cilat të dyshuarit nuk i justifikojnë dot dhe ka dyshime se këtë aktivitet kriminal e kanë kryer edhe ne raste të tjera.

Por kush po tenton t'i zhvasë biznesmenët e fuqishëm shqiptarë, kush qëndron pas këtyre personave që duket se janë thjesht "kukulla"?! Në rastin e mashtrimit të biznesmenit Pëllumb Salillari, një prej të arrestuarëve rezulton se ishte berber në fshatin Shtoj i Vjetër dhe një i njohur i tij i kishte shkruar nga Anglia, duke i kërkuar t'i merrte "një porosi".

Duket se këta persona e kanë bërë rrugë përdorimin e numrave anglez dhe shantazhimin e biznesmenëve në aplikacione në internet, si "Signal" apo "Telegram". Policia e Shtetit në të dy rastet, i ka ftuar qytetarët dhe biznesmenët që të denoncojnë këto raste shantazhi e mashtrimi.

Sondazh

A e mbështesni protestën siç është zhvilluar dy ditët e fundit nën emrin e studentëve?

  •                                                                         Po
    
    •                                                                     Jo
      
      •                                                                 Nuk e di
        

Lexo gjithashtu

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›