Kushdo që të fitojë, qytetet kanë humbur
Ndërkombëtarët konstatojnë hera- herës se partitë po e teprojnë me shpenzime, bankat konstatojnë krizë ekonomike në një kohë kur partitë e mëdha shfaqin me orë të tëra spote televizive kur dimë që 2 sekonda spot elektoral në TV ka vlerën e një pensioni në fshat.
Që nga ky moment, kur mësojmë se politikanët kanë shndërruar paratë e qytetarëve, me të cilat mund të ndërtoheshin shkolla apo rrugë, në flamuj e postera, të gjithë kanë humbur. Por ky është një dëm i riparueshëm dhe gjithçka nuk mbaron me kaq.
Tashmë që fushata po arrin kulmin, po ndodhin disa paradokse që shpresoj qytetarët shqiptarë ti japin rëndësi në zgjedhjen e tyre. Shohim njerëz që mbrojnë kauza patriotike dhe dëmtojnë në mënyrë të parikuperueshme rrugët nacionale me parulla politike, shohim politikanë që premtojnë mbrojtjen e monumenteve historike dhe mbi to skalitet emri i tyre dhe i partisë së tyre, shohim qytete turistike dhe historike të bombarduara me slogane ku parqet, shkollat, pallatet janë dëmtuara në atë farë mase ku as restaurimi nuk i sjell në formën e mëparshme.
Sot kushdo koalicion apo parti që ti fitojë zgjedhjet, qytetet kanë humbur. Kanë mbetur edhe 6 ditë nga dita e zgjedhjeve dhe uroj që pas 23 qershorit të vijë një qeveri e përgjegjshme, që do ndëshkojë penalisht autorët e këtyre krimeve ndaj objekteve simbolike të qyteteve shqiptare, dhe këtë mund ta sjellë vetëm një votë e përgjegjshme dhe e menduar mirë nga ata njerëz që besojnë vërtet tek ndryshimi.
