10 arsye përse nuk mund të votohet Berisha
Ndër vite, veçanërisht kur flasin për politikën, për shkak të pamundësisë për t’i ndryshuar gjërat sa dhe si duan, shqiptarët i kanë klithur metaforës së grushtit migjenian, i cili godet mu në zemër malin që s’bëzanë. Çdo individ mund ta përdorë votën në mënyrë të tillë, për t’i thënë mjaft jo një njeriu, por një sistemi. 10 arsyet që po listoj më poshtë sigurisht që nuk janë shteruese, e padyshim që janë subjektive, por le t’i gjykojë vetë lexuesi i nderuar, duke hequr syzet miopike militanteske syze për të cilat do akuzohem se po i mbaj dhe unë, ndërsa shkruaj këto radhë. Por kjo është bukuria e të vërtetës: ajo ekziston, pavarësisht nesh.
1. 21 Janari
Është ngjarja më e rëndë e politikës shqiptare. Ashtu si shpata e Solomonit, ajo ndan dy botë. Në gjakun e pafajshëm të viktimave janë gjurmët e pakundërshtueshme të shtetit që vret për të mbajtur pushtet. Kjo është e vërteta sintetike. Çdo argument tjetër është sofizëm.
2. Përqendrimi i të gjithë pushteteve në një dorë të vetme
Parimi i famshëm i ndarjes së pushtetit, i njohur si check and balance, që është në fakt themeli i çdo demokracie, është rrënuar plotësisht. Mbi këto gërmadha të shtetit të së drejtës është ngritur një pushtet autokratik, despotik e familjar, që ka uzurpuar në mënyrë kapilare çdo qelizë institucionale në vend. Që Shqipëria nuk është një vend tërësisht demokratik ku sundon ligji, është një e vërtetë aksiomatike.
3. Papunësia
Shifrat e hedhura kuturu për papunësinë janë kontradiktore, larg realitetit dhe fryjnë vetëm statistika të cilat nuk e ngopin dot stomakun e boshatisur të shqiptarëve. Ato as nuk e ushqejnë dot ëndrrën e skeletosur të mijëra të rinjve që enden rrugëve me diploma papunësie në duar. Të gjithë sondazhet tregojnë se papunësia është problemi kryesor i shqiptarëve. Ajo është një sfidë emergjente dhe ulëritëse për vendin, por një sfidë ama, në të cilën qeveria Berisha dështoi.
4. Lufta kundër korrupsionit
I ardhur në vitin 2005 si kalorës i duarve të pastra, për Berishën sot, ashtu si për Ponc Pilatin dikur, nuk mjafton as uji i oqeaneve për të pastruar llumin e korrupsionit në të cilin është zhytur gati çdo hallkë e shoqërisë. Ende sot, nuk ka as edhe një zyrtar të lartë të dënuar për shkak të korrupsionit me detyrën.
5. Sistemi arsimor
I trumbetuar me të madhe si prioritet i çdo qeverie, sistemi arsimor vazhdon të ngelet thembra e Akilit e shoqërisë shqiptare. Universitetet janë të shumtë po aq sa edhe të pavlerë. Disa të akredituar, shumica jo, këto universitete me cilësi krahasimisht të ulët, prodhojnë në masë diploma papunësie të cilat vetëm e rrisin inflacionin e potencialit intelektual në vend. Në këto kushte, të flasësh për arsimim cilësor, konkurrues në një treg global me produktin e vet shkencor është sa utopike aq dhe qesharake.
6. Sistemi shëndetësor
Ndërsa flet për sistemin shëndetësor, vetëm një fjali është kuptimplotë: të mos rëntë për pjesë të shkosh në spitalet shqiptare.
7. Shkatërrimi i administratës shtetërore
I nëpërkëmbur, me frikën konstante për vendin e punës, nëpunësi i administratës shtetërore vrapon nga një miting në tjetrin i bindur se fati i karrierës së tij varet vetëm nga tesera e partisë dhe zelli i shfaqur në favor të saj. Me përjashtime të rralla, që vetëm e forcojnë tendencën e përgjithshme, nëpunësi i shtetit është lidhur në mënyrë simbiotike me partinë e pushtetit.
8. Pasiguria
Pasiguria për jetën, pronën, qetësinë publike është alarmante. Aksidentet apo vrasjet për motive të dobëta kanë shpesh bilance lufte. E ardhmja nuk mund të jetë kurrë shpresëplotë për aq kohë sa e tashmja është kaq e pasigurt.
9. Premisë për reformimin e klasës politike
Largimi i Berishës është kusht i nevojshëm (edhe pse ndoshta jo i mjaftueshëm) për reformimin e klasës politike. Në Partinë Demokratike, më në fund, mund t’u hapet rrugë proceseve demokratizuese. Ky efekt mund të shtrihet, për rrjedhojë, edhe në partitë e tjera. Një klasë politike tërësisht konfliktuale, antagoniste, e përçarëse nuk i shërben askujt.
10. Aspiratë personale
Sepse si i ri, kam aspiratën të jetoj në një vend, i cili nuk zaptohet politikisht nga një njeri i vetëm, siç ka ndodhur deri më tani, për gati gjithë vitet e jetës sime.
Kurrë nuk do ta bëja një shkrim të tillë nëse do flisnim për një njeri. Por këtu jemi duke abstraguar prej njeriut, e flasim për një sistem. Është bindja ime që ky sistem duhet goditur me votë. Jo sepse nëse e bëjmë këtë, do të jetojmë të gjithë të lumtur përgjithmonë, por sepse ky hap është i domosdoshëm për të krijuar një realitet të ri politik, më të mirë. Ky realitet i ri kurrsesi nuk duhet pranuar a-priori, por duhet dyshuar e korrigjuar vazhdimisht me bindjen se kush nuk mëson nga e shkuara, është i dënuar të përsërisë gabimet e saj. Ama, më së pari, lipset ta krijojmë këtë realitet të ri politik.
