Kushtetuesja rrëzoi vendimin për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, Bardhi: GJK nuk i rezistoi presionit të Ramës

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi kërkesën e 28 deputetëve të opozitës për shpalljen si antikushtetues të vendimit të qeverisë për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi, është komentuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, si një vendim që “nuk i rezistoi dot presionit dhe shantazhit të Kryeministrit”.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, Bardhi shprehet se nuk ndjehet i surprizuar, pasi vendimin e të enjtes të Gjykatës Kushtetuese, sipas tij, “e ka shpallur Edi Rama më 15.12.2022, ku kërkoi nga GJK të mos lajthisë dhe e sfidoi hapur duke paralajmëruar moszbatimin e çdo vendimi të ndryshëm”.
“Për fat të keq, GjK nuk i rezistoi dot presionit dhe shantazhit të Kryeministrit dhe oligarkëve të tij! VKM-ja që legalizon ndërtimet pa leje të oligarkëve është thelbi i qeverisjes së Edi Ramës: Burg për qytetarët e thjeshtë, amnisti dhe legalizim për oligarkët”,- shkruan Bardhi në Twitter.
Opozita e vlerësoi si antikushtetues vendimin e qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje. PD e ankimoi vendimin e qeverisë në Gjykatën Kushtetues duke kërkuar shfuqizimin e tij. Sipas PD-së, nëpërmjet këtij vendimi, kryeministri, Edi Rama “mori në mbrojtje oligarkët e ndërtimit të Kullave pa leje në mes të Tiranës”.
Vendimi
Gjykata Kushtetuese rrëzoi të enjten ankimimin e 28 deputetëve të opozitës, për shpalljen si antikushtetues të vendimit të qeverisë, për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp Gjykata Kushtetuese bëri të ditur se pasi mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues jo më pak se një të pestën e deputetëve (28 deputetë) të Kuvendit, me objekt: “Shfuqizimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, vendosi “rrëzimin e kërkesës”.
/rtsh.al/