Drafti për asociacionin/ Berisha: Rama përkeqësoi dialogun Kosovë-Serbi, të dënohet Vuçiç

Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama se me propozimin e draftit për Asociacionit ka përkeqësuar gjendjen e dialogut delikat Prishtinë-Beograd. Sipas Berishës, Kryeministri Rama me draftin për asociacionin kreu ndërhyrjen më brutale çështjet e brendshme të Kosovës.
Sa i përket anulimit të mbledhjes së përbashkët Kosovë-Shqipëri, Berisha u shpreh se Albin Kurti nuk pranoi të diskutonte me Ramën për draftin që ky i fundit mori nga sirtarët e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
“Paraqitja që ai i bëri projektit të asociacionit ishte ndërhyrja më brutale në çështjen më delikate në punët e brendshme t Kosovës, një akt anti-shqiptar. Duke konsideruar Kosovën, një vend vasal. Anuloi takimin me qeverinë e Kosovës sepse ajo nuk pranoi të diskutohej për draftin e tij të marrë në sirtarët e Vuçiç. Ai përkeqësoi më tej gjendjen e dialogut të vështirë Prishtinë-Beograd. Ai e bëri këtë jo vetëm si shërbim ndaj Beogradit, por sepse korriku po vjen dhe ai është nën hetim për McGonigal. I vetmi në komunitetin euro-atlantik që ka korruptuar një prej personave më të rëndësishëm në fushën e sigurisë, udhëheqësitë e komunitetit’, tha Berisha.
Ky i fundit i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjnë për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe. Berisha kërkoi dënimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, pasi sipas ish-kryeministrit, kërcënon paqen dhe stabilitetin e Ballkanit.
“Rrëmbimi i policëve shkelje flagrante e OKB-së. i bëj thirrje KFOR, Komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë për lirimin e policëve të rrëmbyer, rikthimin e policëve në vendin e tyre, dënimin e atij që sillet si një fqinj zuzar që nuk njeh ligj të brendshëm dhe ndërkombëtar, Aleksandër Vuçiç pasi kërcënon paqen dhe stabilitetin e Ballkanit”, përfundoi Berisha.
/rtsh.al/