Kushtetuesja shfuqizoi vendimin për komisionet parlamentare, Balla: Presim zbardhjen e plotë

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Kuvendit për ndryshimin e numrit të komisioneve.
Vendimi erdhi pas ankesës së Partisë Demokratike për shkelje procedurash nga parlamenti.
Sipas tyre, ndryshimet që parashikonin rritjen e numrit të komisioneve parlamentare nga 8 në 11, ishin të njëanshme.
Dëmi kryesor, sipas kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhit, ishte largimi i opozitës nga drejtimi i Komisionit për Integrimin.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, procedura ka qenë antikushtetuese dhe nevojitet të rregullohet.
Me këtë vendim, numri i komisioneve mbetet 8 dhe do të ketë 30 ditë afat nga hyrja e tij në fuqi për ribërjen e procedurës.
Ndërkohë ka reaguar edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.
Ai shprehet se nuk gjen dot asnjë lidhje mes të drejtës së Kuvendit për organizimin e punës së vet në komisione të përhershme dhe vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk gjej dot asnjë lidhje mes të drejtës së Kuvendit për organizimin e punës së vet në komisione të përhershme dhe vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese. Pres me shumë kuriozitet vendimin e plotë për të kuptuar edhe atë çështjen e ‘të drejtës së shprehjes’, kur është fakt se deputetët kanë votuar dhe e kanë shprehur vullnetin qartazi me votë. Megjithatë mendoj se Kuvendi i Shqipërisë duhet ta vazhdojë punën e tij me ndarjen aktuale të Komisioneve, të cilat do duhet të rimiratohen bashkë me ndryshime të tjera që siç njoftova në fillim të sesionit do t’i depozitojmë në ditët në vijim”