E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kushtetuesja shqyrton “Berishën”, kreu i PD kërkoi heqjen e masës së arrestit shtëpiak

Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar sot kërkesën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për heqjen e masës së arrestit në shtëpi, masë e vendosur ndaj tij në dhjetorin e vitit 2023.

Seanca është zhvilluar mbi bazën e dokumenteve dhe pa praninë e avokatëve apo të prokurorëve të SPAK-ut, dhe brenda pak ditësh pritet që Kushtetuesja të shpallë vendimin.

Megjithatë, nuk pritet që vendimi të ndryshojë diçka në raport me lirinë e kryetarit të Partisë Demokratike, pasi faza e hetimeve ndaj tij ka përfunduar dhe Gjykata e Apelit ka vendosur që ai të gjykohet në masën “detyrim paraqitje”.

Sali Berisha ka qëndruar në arrest shtëpie për 11 muaj, pasi refuzoi të zbatojë vendimin e gjykatës, e cila fillimisht kishte vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.

Lideri i opozitës është marrë i pandehur me akuzën e korrupsionit, pasi SPAK beson se favorizoi dhëndrin e tij, Jamalber Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv të Partizanit. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›