“Ndërtojmë 10 shkolla të reja”, Veliaj: 2025-a do jetë viti i solidaritetit

Buqetës me 45 shkolla të reja të ndërtuara vitet e fundit në Tiranë do t’i shtohen edhe 10 të tjera.
Duke folur në ceremoninë e çeljes së programit për Drejtuesit e Shkollave dhe Kopshteve, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se në të gjithë zonat e Tiranës po ndërtohet një sistem i plotë me çerdhe, kopshte, dhe shkolla 9-vjeçare e të mesme.
“Sot në Tiranë kemi ndërtuar 45 shkolla të reja, plus 109 kopshte dhe çerdhe; pra, si infrastrukturë kemi ecur goxha. Me investimet e reja, sidomos në zonat që i janë shtuar Tiranës, si lagjja ‘Rilindja’ [Astiri], Liqeni i Thatë, Kopshti Botanik dhe gjithë zona mes Saukut dhe Farkës, kemi edhe një paketë tjetër për ndërtimin e 10 shkollave të reja. Pra, po maksimizojmë hapësirat që kemi për të ndërtuar një sistem çerdhe, kopësht, 9-vjeçare dhe të mesme,” tha Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se këtë vit do të ketë nisma të mëdha solidariteti, ndërsa solli në vëmendje edhe vendimin për abonenë e përgjithshme falas për pensionistët.
“E kemi kthyer këtë vit në një vit të madh solidariteti. Filluam me abonenë falas për gjyshet dhe gjyshërit, duke menduar se në të shumtën e rasteve janë ata që i çojnë fëmijët në çerdhe dhe në kopshte. Por, ne subvencionojmë në raportin 7/1 edhe pagesën për çerdhet dhe kopshtet. Mbase shumica e njerëzve nuk e dinë, por nga një kosto prej 8 mijë lekësh në ditë, e cila përfshin të gjitha shpenzimet në kopshte dhe çerdhe, 7 mijë lekë i paguan bashkia,” shtoi kryebashkiaku.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të pushtetit lokal nga e gjithë Shqipëria, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, si dhe donatorë e grupe interesi./vizionplus.tv