E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja shqyrton sot padinë e Naureda Llagamit, humbi për 1 votë vendin si anëtare e re në këtë gjykata

Naureda Llagami u drejtua me një padi në Gjykatën Kushtetuese, në gjykatën ku ajo pretendon se ka fituar mandatin si anëtare e re. Ajo pretendon se procesi është manipuluar dhe se vota që do ta bënte atë anëtare të kësaj gjykatë u shpall padrejtësisht e pavlefshme.

Gjykata Kushtetuese shqyrton sot kërkesën e Naureda Llagamit për anulimin e procedurës së votimit në mbledhjen e Gjykatës së Lartë më 30 shtator për emërimin e Asim Vokshit si anëtar i Kushtetueses.

Llagami mori 9 vota, pra 3/5 e numrit që i duhej për t’u shpallur fituese, por një u cilësua si e pavlefshme pasi kishte dy shenja. Automatikisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese u zgjodh Asim Vokshi pasi ishte renditur i pari në vlerësimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Llagami kërkoi edhe pezullimin e emërimit të Vokshit si anëtar i Kushtetueses, por kjo kërkesë iu rrëzua.

Pas polemikave të shkaktuara nga Llagami, Gjykata e Lartë reagoi duke thënë se procesi i votimit ishte zhvilluar sipas rregullave të përcaktuara. Ajo citonte nenin 12 pika 6 të Rregullores që “ndalon çdo shënim tjetër në fletën e votimit, përveç shenjës së përcaktuar”, si dhe nenin 13 pika “b” që përcakton pavlefshmërinë e votës, “kur në fletë janë bërë shënime në favor ose në disfavor të kandidatëve”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›