E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtëzimi elastik i Bashkimit Europian

Për herë të tretë, Shqipëria mban zyrtarisht frymën e kryqëzon gishtat që opinioni i BE-së, i formuluar nga teknicieni Stefan Fule, në raportin mbi përparimin e Shqipërisë për këtë vit, të jetë pozitiv ndaj kërkesës për të marrë statusin e vendit kandidat, ndalesa e parafundit përpara anëtarësimit në Bashkimin Europian. Jozyrtarisht, pritet një përgjigje pozitive, por e kushtëzuar për Shqipërinë, duke krijuar kështu një precedent të ri, në matjen e përmbushjes së kritereve të kushtëzimit politik nga një vend aspirant, në këtë fazë të procesit të zgjerimit. Shkaqet lidhen me arsyet e përbashkëta objektive e subjektive të kavalierit Union e të damës Shqipëri, për të vijuar kërcimin me ndërprerje, nën tingujt e himnit të Europës së Bashkuar. Sidoqoftë, do jetë Këshilli i Bashkimit Europian, organi kryesor vendimmarrës me përfaqësues të 27 vendeve anëtare, ai që do vendosë zyrtarisht në dhjetor të këtij viti, nëse Shqipëria do u bashkohet tre shteteve të tjera të Ballkanit, që e gëzojnë tashmë statusin e vendit kandidat. Sidoqoftë, nuk është hera e parë që BE përdor në mënyrë specifike instrumentin e kushtëzimit politik, ku Shqipëria ka ngecur dy herë.
Bashkimi Europian, përshtatje e kushtëzimit politik ndër vite
Duke i hapur dritën jeshile Shqipërisë për të bërë edhe një hap drejt anëtarësimit, Bashkimi Europian po përpiqet të realizojë integrimin europian për Ballkanin Perëndimor, një perspektivë e lindur nga një sërë reflektimesh strategjike, që kishin ardhur duke u pjekur gjatë viteve 1990 në Union. Bashkimi i Europës do konsiderohej i plotë, vetëm pas hyrjes në të, të vendeve të Ballkanit, duke sjellë kështu stabilizimin e këtij rajoni, që, pas dështimit të një sistemi, pas rënies së perdes së hekurt, konsiderohej prova e politikës së jashtme dhe e sigurisë të Evropës. Pra logjika e integrimit duhej të kapërcente pragun material e simbolik të Ballkanit, që kishte mbetur një lloj enklave, e vendosur mes vendeve që i përkisnin BE-së, me synim realizimin e asaj, që përcaktohet si evropianizim i Ballkanit.
Që prej vitit 1990, Bashkimi Europian ka iniciuar një sërë instrumentesh e institucionesh në Ballkanin Perëndimor, (Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Kosova (pas pavarësimit), Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria, në radhë për t’u bërë anëtare të ardhshme të BE-së. Metoda ishte që vendi aplikant të kalonte në statusin e vendit kandidat të mundshëm për në BE, nëpërmjet të gjitha llojeve të kushtëzimit, që bazohen në kriteret e Kopenhagenit, e më pas duke i lënë këto vende të kryejnë një sërë reformash politike, ekonomike e ligjore.
Duhet thënë se kushtëzimi i BE-së në 1990-ën, shkoi përtej kritereve formale demokratike, që u përdorën dekadat e mëparshme në hapësira të pavarura demokratike. Midis kushteve të aderimit, kushtëzimi politik është ndërtuar përmes rishikimeve të Traktateve të ndryshme. Në Traktatin e Bashkimit Evropian specifikohet, se vetëm një shtet që respekton principet e lirisë, demokracisë, të drejtat e njeriut e liritë themelore, si dhe shtetin e së drejtës, mund të kërkojë të bëhet anëtar. Ky princip mbështetej tek Traktati i Romës (1957), që krijoi Komunitetin Ekonomik Evropian e më tej në traktatin e Mastritit (1993), që krijoi Bashkimin Evropian, ndërsa u sanksionua në Traktatin e Amsterdamit në vitin 1997.
Një tipar i qasjes së re të kushtëzimit të Komisionit në 1990, ishte insistimi që standardet demokratike të realizohen përpara hyrjes, (ndryshe nga qasjet më të lehta në zgjerimet e mëparshme, sidomos në Evropën Jugore) dhe se kriteret origjinale të Kopenhagës, duhet të plotësohen përpara hapjes së negociatave për anëtarësim. Kjo, pasi kushtëzimi politik mori formën e një ligji të butë gjatë Samitit të Kopenhagenit në 1993-in, me kritere që përfshinin stabilitetin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut e minoriteteve. Asnjë vend nuk mund të bëhet anëtar, pa përmbyllur të gjithë kapitujt e acquis, në të gjitha fushat, me fokusim tek kriteri politik.
Këto kritere reflektojnë tendenca në aktivitetin në rritje të kushtëzimit në botën e pas Luftës së Ftohtë, si prioriteti për pakicat dhe vëmendje e veçantë e BE-së për të drejtat e njeriut. Por më e rëndësishmja, ky forcim i kushtëzimit u bë për të siguruar disa vende anëtare, se thellimi i zgjerimit nuk ishte rrezikues, një referencë e parë për kapacitetin absorbues të BE-së. Ky modifikim i bllokut të kushtëzimit nuk është rastësor, pasi në 1993-in, BE duhej t’i përgjigjej kërkesës për aderim të vendeve të Europës Qendrore e Lindore, menjëherë pas rrëzimit të Bllokut komunist. Përqendrimi tek principet demokratike (pjesë themelore e kushtëzimit politik), theksohet tek Traktati i Amsterdamit në 1997-ën, ku propozohet një risi akoma më revolucionare: Bëhet fjalë për Nenin 7 të Traktatit të BE, që lejon pezullimin e të drejtave të një shteti anëtar, në rast dhunimi të rëndë e të vazhdueshëm të principeve demokratike, shtetit të së drejtës e të të drejtave të njeriut (neni 6-1, Traktati i BE).
Kushtetuta Evropiane e ratifikuar në 2004-ën përforcon karakterin operativ të kushtëzimit politik të përkatësisë së BE-së, duke u shtuar principeve të mëparshme vlera të reja, si respekti për dinjitetin njerëzor, lirinë e barazinë, pluralizmi, toleranca, drejtësia, solidariteti, mosdiskriminimi. Këto vlera u shtohen të parave, duke i qartësuar e sqaruar.
Ky është një model specifik i Unionit që ndryshon nga të tjerët, pasi kushtit politik iu vu një theks prioritar në raport me të gjitha kushtet e tjera, çka natyrisht krijoi një presion të mprehtë në vendet aplikante për të përmirësuar përgjigjen e tyre për to. Si kurorëzim i përpjekjeve të vendeve të BE, sidomos në situatën e krijuar pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, në 2003 Këshilli Evropian miratoi axhendën e Selanikut për hyrjen e Ballkanit Perëndimor në BE dhe garantoi mbështetjen e plotë ndaj përpjekjeve të vendeve të rajonit për konsolidimin e demokracisë, stabilitetit dhe promovimin e zhvillimit ekonomik.
Përjashtimi kryesor për këtë prioritet të ri të kushtëzimit politik të BE erdhi nga konsiderata të tjera mbi vendimet për zgjerim të BE-së. Përkundër normave të Unionit e ndërveprimit me vendet aspirante, duhet thënë se kushtëzimi politik nuk ka qenë një instrument kaq strikt ndaj vendeve të Ballkanit. Sipas studiuesve të zgjerimit, këto përfshinë kritere të tjera anëtarësimi, konsiderata të larta politike ose gjeopolitike dhe gjithashtu presione individuale nga shtete anëtare.
Si ilustrim shërben vendimi i Samitit të Helsinkit në dhjetor 1999, për të përfshirë Bullgarinë e Rumaninë mes të ftuarve për të negociuar anëtarësimin menjëherë në vitin 2000, pavarësisht dështimeve të tyre, sidomos në rastin e Rumanisë, në plotësimin e kushteve politike e ekonomike. Sociologu Geoffrey Pridham ka bërë një analizë të pëlqyeshme të atij që e quan “kushtëzim negativ”, duke e ilustruar me rastin e Bullgarisë e Rumanisë, reformat e të cilave (reforma në drejtësi e lufta kundër korrupsionit - pikat e dobëta ashtu si në rastin e Shqipërisë), konsideroheshin të pamjaftueshme deri pothuaj në fund të negociatave gjatë viteve 2004-2005. Këto dy vende sipas Pridham iu nënshtruan një qasjeje më strikte të kushtëzimit të BE-së, me ndryshimin e lidershipit në Komisionin Evropian, me President të ri, Barroson dhe zëvendësimin e Gunter Verheugen nga Olli Rehn si komisioner zgjerimi.
Ky spostim drejt kushtëzimit negativ erdhi pjesërisht për shkak të emergjencës së “lodhjes nga zgjerimi”, që dolën në pah nga kriza me Kushtetutën e BE-së nga 2005-sa, e pjesërisht nga mësimet që u nxorën nga eksperienca e zgjerimit e 2004-ës. Në takimin e Komisionit Evropian në dhjetor 2004, Barroso e Rehn kundërshtuan si të parakohshme mbylljen e negociatave për Bullgarinë e Rumaninë, për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme mbi kushtet politike, sidomos korrupsioni, por edhe praktikat autoritare. Zgjidhja e ofruar ishte një “klauzolë sigurie” me 11 pika, që do monitoroheshin për 1 vit e gjysmë e ku spikasnin reforma në drejtësi dhe korrupsioni.
Një klauzolë sigurie u aplikua edhe për Bullgarinë, duke ia shtyrë hyrjen me 1 vit nga 2008-ta, duke shënuar kështu një zgjatje të paprecedentë të kushtëzimit përtej fundit të negociatave. Në dhjetor 2005, Komisioni përgatiti raport-progresin me kushtet për të dyja vendet e Ballkanit. Në maj 2006 publikoi raportet monitoruese, por e shtyu për në shtator caktimin e datës së hyrjes në BE (midis vitit 2007 apo 2008). Meqenëse u pa përparim në plotësimin e kushteve të Rumanisë me reformën në drejtësi e luftën ndaj korrupsionit, u vendos anëtarësimi në janar 2007 për të dyja vendet, por shqetësime të vazhdueshme mbeteshin në të dyja këto fusha. Kështu u vendos që të mbahej presioni, edhe pas hyrjes në BE, me një program të ri me etapa e sanksione (përfshi ngrirjen e fondeve dhe mosnjohjen e vendimeve të gjykatave rumune nga vendet e tjera anëtare), në rast të kthimit pas.
Shqipëria, statusi kandidat i BE-së, meritë e qytetarëve
Ndërsa Pridham e konsideron rastin e Bullgarisë e Rumanisë, si model të kushtëzimit negativ, qëndrimi i BE-së ndaj këtyre dy vendeve mund të konsiderohet edhe si standard ndihmës, për të lehtësuar procesin e anëtarësimit, çka nga politikanët aktualë vendimmarrës në Bashkimin Europian, konsiderohet si “lessons learned”, pra, diçka që nuk duhet përsëritur me vendet e tjera aspirante. Për pasojë, edhe statusi i kushtëzuar i kandidatit, që i jepet Shqipërisë është në vazhdën e përdorimit të levave të kontrollit të BE-së, në drejtim të demokratizimit dhe konsiderohet si kushtëzim pozitiv, si presion përmes monitorimit të fortë të kombinuar me mekanizma suporti për europianizimin e saj, përkundër atij që njihet si kushtëzim negativ, që është drejtimi i fundit përmes fuqisë mohuese të BE-së, ndaj hapjes së negociatave dhe e drejta formale në etapën finale për të refuzuar anëtarësimin, në rast shkeljesh serioze e të zgjatura të kushteve (Neni 7 i Traktatit të Amsterdamit).
Shqipëria, vendi Ballkanik që e ka nisur i pari rrugën drejt BE bashkë me Kroacinë, që në 1992-in (Kroacia zyrtarizohet si vendi i 28-të i BE-së në 1 korrik 2013; Maqedonia e ka nisur procesin në 1996-ën, sot vend kandidat; Mali i Zi, qershor 2006, sot vend kandidat; Serbia 1999, sot vend kandidat), por që ka lënë pas vetëm Bosnje-Hercegovinën, për nga mënyra e përparimit “ec e ndalo”, ka të dukshme e të përsëritshme, në çdo raport monitorues, jo vetëm të BE-së, energjitë e shumta që aktorët politikë në vend harxhojnë për interesat individuale të ditës, kulturën e konfliktualitetit politik, që prodhon situata destabilizuese politike me kosto për qytetarët, në pritje të zgjidhjes së ndalesës së radhës së përparimit të vendit.
Derivat i kësaj kulture primitive politike janë hartimi e miratimi pafund e shpesh i njëanshëm i ligjeve, si një arritje gjysmake, për sa kohë që ato mbeten të pazbatuara. Është i vetmi proces, ku numrat e sasia e tyre nuk kanë peshë. Gjyqësori herë anemik, e herë i pavarur në vendosjen e standardeve krejt të vetat, korrupsioni që pranohet me natyrshmërinë e gjerbjes së kafesë së mëngjesit e zgjedhjet, asnjëherë në nivelin e standardeve ndërkombëtare.
Artikulimi publik e unanim, si prioritet kombëtar i integrimit nga të gjithë aktorët politikë në vend është një melodi e lodhshme, edhe për ata që e luajnë, pasi veprimet janë skajshmërisht distante me zotimet verbale.
Për pasojë, avancimi i Shqipërisë drejt BE-së është lajm më i mirë për qytetarët e këtij vendi, jo thjesht se atyre u takon merita për përgjigjen pozitive (vazhdojmë të ruajmë rekordin e preferencës popullore për integrim në BE), por sepse ky hap përpara, do të ndikojë direkt në jetën e qytetarëve. Në këtë logjikë, statusi i dhuruar apo i merituar, mbetet detaj anësor. Afrimi me BE-në parashikon funksionimin e një shteti në mënyrë të unifikuar, sipas rregullave të të gjitha vendeve anëtare. Në këtë fazë, arritjet gjysmake nuk vlejnë shumë, pasi lëvrimi i fondeve aspak modeste të BE-së për vendet në këtë fazë të anëtarësimit, varet pikërisht nga kapacitetet e institucioneve shqiptare për t’i thithur e menaxhuar këto fonde.
Së fundi, studiues e politikanë bashkohen në idenë se, nga përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor, do varet ekuilibri i ardhshëm kontinental e forcimi ose dobësimi i BE-së si aktor ndërkombëtar. Edhe kjo është një arsye që justifikon këtë vendim për Shqipërinë, pavarësisht se 12 detyrat janë ende aty, në pritje për t’u zbatuar plotësisht dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë testi i parë i kushtëzimit të ri europian për klasën tonë politike.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›