E Shtunë, 31 Tetor 2026

Penelopa e Shqipërisë

Raporti midis shkatërrimit dhe rindërtimit është një nga raportet më tragjike që ka formësuar jetën e shqiptarit në krejt historinë e tij. Mohimi i pohimit të dikurshëm, pra shkatërrimi, dhe pastaj rindërtimi mbi gërmadhat, është, në thelb, një akt revolucionar, që shpesh ka energjizuar përparimin e qytetërimit. Megjithatë, si jo rrallë herë, edhe në këtë rast, atje ku të tjerët, kombet e qytetëruara, kanë gjetur fuqinë e zhvillimit, shqiptarët kanë gjetur të kundërtën, fatkeqësinë e tyre, aq sa, raporti dialektik midis mohimit dhe pohimit e ka humbur përmbajtjen e tij, përputhshmërinë me zhvillimin, dhe është shndërruar në një raport me anë të të cilit shpjegohet prapambetja e thellë e këtij vendi. Të ndodhur nën peshën e regjimeve, sidomos në njëqindvjeçarin e fundit, pra, në ekzistencën e tyre brenda formatit shtetëror, shqiptarët nuk arritën kurrë të kuptojnë masën e raportit, vijën përtej së cilës raporti midis shkatërrimit dhe rindërtimit nuk sjell përparim, por prapambetje, fatkeqësi. Në fakt, vetë regjimet, si forma të ekzistencës shoqërore të shqiptarit, nuk kanë qenë dhe nuk janë gjë tjetër veçse pjellë e një raporti të deformuar, të dalë jashtë proporcionalitetit, midis shkatërrimit dhe rindërtimit. Si në një gjendje amoku, shqiptarët nuk kanë mundur kurrë të ndërtojnë pa shkatërruar verbërisht, në mënyrë totale; pa shpikur armiq për t’i shkatërruar më vonë, madje duke mos lënë jashtë shkatërrimit edhe veten e tyre. Ky obsesion është edhe arsyeja më esenciale që shpjegon pse shqiptarët kanë mundur të ekzistojnë nëpërmjet krijimit të regjimeve, sundimeve totalitariste. Regjimet i kanë ndihmuar të realizojnë “amokun” si një obsesion të vjetër dhe të mbajtur fshehtas në shekuj. Madje, edhe kur nuk kanë qenë direkt përgjegjës për krijimin, janë bërë përgjegjës për mbajtjen e regjimeve në këmbë, për përdorimin e tyre në dhunimin e gjysmës që nuk i pranonte ato. Shpejt i vinte radha gjysmës tjetër, misioni i së cilës ishte të shkatërronte gjithçka që gjysma e rrëzuar nga pushteti kishte ndërtuar. Ajo shkatërronte për të ndërtuar një gjë tjetër, të pangjashme me të parën. Ja pse koha rrjedh ndërsa shqiptarët mbeten në vend. Me të gjitha manierat e vjetra, me inatin e zilinë që nuk iu hiqen nga sytë. Kështu bënte Penelopa në mitologjinë greke. Shprishte natën pëlhurën e punuar ditën. Por, gjithçka e bënte që koha të mbetej në vend. Nuk e bënte që shkatërrimi të sundonte mbi rindërtimin. Jo për shkak të amokut, as të urrejtjes. E bënte në emër të dashurisë, moralit, në fund të fundit e bënte në emër të ekzistencës në të ardhmen. Shqiptarët, së bashku me qeveritarët që mbajnë në këmbë, nuk pyesin për kohën. Ata shkatërrojnë në emër të shkatërrimit. Nën lëkurën e këtij vendi rri një Penelopë shumë herë më tragjike se Penelopa e mitologjisë greke.
* * *
Opozita e sotme, veçanërisht PS dhe AKZ, po formulojnë një politikë zhbërjeje nëse vijnë në pushtet vitin tjetër. Po kërkohet fshirja e koncesioneve dhe ripërcaktimi i tyre në të nesërmen, zhbërja e privatizimeve të gabuara apo e blerjeve strategjike, anulimi i ligjeve, çmontimi i politikave në fushën financiare dhe të taksimit, bërja nul e disa politikave në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë; i qëndrimeve korruptive të qeverisë ndaj universiteteve private apo mënyrat se si spitalet sillen ndaj të sëmurëve dhe trajtimit të tyre mjekësor; çmontimi i drejtësisë së korruptuar dhe së bashku me të, edhe i kulturës së pandëshkueshmërisë. Përfundimisht, po kërkohet çmontimi total i qeverisjes së PD-së dhe zhdukja e produkteve të saj, fshirja e politikës së kapjes së shtetit dhe autokratizmit nga faqja e këtij vendi. Pyetja më e natyrshme pas gjithë kësaj është: A duhet të bëhen të gjitha këto, pra, a është legjitime që të çmontohet e gjithë jeta politike e këtij vendi dhe të ndërtohet një gjë ndryshe në vend të saj? A do të duhet të ribëhet gjyqësori nga e para, i tillë që të mos mund t’i shërbejë asnjë force politike? Që të mund të realizohet një politikë e drejtë ndëshkueshmërie? Që të mund të rrënjosë më në fund besimin e shqiptarëve te drejtësia si një shpëtim përfundimtar i tyre? A do të duhet të bëhet shpërbërja e institucioneve të këtij vendi në mënyrë që të eliminohet baza ligjore e autokratizmit? A do të duhet të mos jetë më ky sistem i shëmtuar universitar, me cilësinë e tij të gënjeshtërt? A do të duhet të hiqen qafe përfundimisht të paaftët që kanë pushtuar shtetin dhe të zëvendësohen me të tjerët, mendjendriturit e papunë ose të përplasur për muri në një qoshe të shoqërisë? A do të duhet të shkulet më së fundmi poshtërimi i njeriut dhe të zëvendësohet me kultin e tij? Ka vetëm një përgjigje: Po, sigurisht, të gjitha këto duhen bërë. Vetëm se ndryshe nga ajo që është bërë deri më sot. Të bëhen në mënyrën që të mos mund të shkatërrohen përsëri, por vetëm të përsosen. Kjo do ta ndajë në fund të fundit Shqipërinë nga e kaluara e saj, demokracinë nga regjimet e së shkuarës.
* * *
Kur të fillojnë të çmontojnë regjimin e sotëm, shqiptarët duhet të kuptojnë se prishja, shkatërrimi, nuk është dhe nuk mund të jetë qëllimi, misioni i tyre. Vetëm atëherë ky vend do të fillojë të lëvizë për t’u ndarë përfundimisht nga e kaluara e tij e mbushur me tragjizëm regjimesh. E gjitha kjo do të mund të ndodhë kur shqiptarët të kenë në krye politikanët, që bëjnë pjesë organike të qeverisjes kulturën e sundimit të rindërtimit mbi zhbërjen së pari, dhe së dyti, kulturën e ndryshimit të qëndrueshëm në kohë, çka do të kufizojë maksimalisht mundësinë e kthimit prapa. Pra, të kenë ekzaktësisht ato që nuk i patën qeveritarët e sotëm dhe që nuk mund t’i kesh nëse jeton në kushtet e një regjimi. Që shkatërrimi të mos jetë mision, ai duhet të zëvendësohet me adoptimin, gjerësisht i aplikueshëm në demokraci. Vetëm me qëllim ilustrimi, le t’i rikthehemi edhe njëherë çështjes së Piramidës në qendër të Tiranës: të prishet apo të mos prishet. Veç shumë të tjerash, nëse Piramida prishet, shqiptarët humbin paratë që kanë paguar nëpërmjet taksave të tyre, pavarësisht madhësisë së humbjes. Pra, në këtë rast, prishja, shkatërrimi, çon në humbje, sigurisht. Gjithsesi, a fitojnë ndonjë gjë shqiptarët, pra, në fund të fundit, ajo që do të rindërtohet a prevalon mbi shkatërrimin? Unë kam parë kudo në perëndim se si mbi kështjellat apo pallatet e sundimtarëve të dikurshëm janë ndërtuar universitete. Jo duke i shkatërruar rezidencat e dikurshme të sundimtarëve, madje edhe të atyre më shpirtkazmë, por duke i restauruar ato, duke i përshtatur për të plotësuar kushtet e një universiteti. Sundimtari i dikurshëm fle nën lëkurën e civilizimit universitar, duke frymëzuar studentët, sa herë që kujtohen për të, të nxitojnë sa më shumë për t’iu larguar kohës në të cilën ka jetuar ai. Kështu veprohet në një demokraci të vërtetë: Shkatërrimi zëvendësohet me adoptimin. Adoptimi bëhet një metodë po aq universale në demokraci, sa shkatërrimi ka qenë i tillë në një regjim. Madje, ekstremisht, e theksoj, ekstremisht, mund të shkojmë edhe në një shembull tjetër. Ndërsa e veja e diktatorit ka qenë gruaja më e fuqishme në regjimin diktatorial, Kryetarja e Parlamentit është gruaja më e fuqishme në regjimin e sotëm autokratik. E dyta nuk kishte se si të mos ngrihej mbi rrënimin e plotë të së parës. Dhe kështu ka ndodhur, megjithëse jo nga pikëpamja institucionale. E veja e diktatorit nuk u rrënua, ashtu si në fakt do të duhej të ndodhte; pra, nuk u dënua për krime të kryera në kohën e diktaturës, por për abuzime ekonomike. PD mban një përgjegjësi historike në shmangien e saj nga dënimi i merituar, për të cilin, edhe sot e kësaj dite, nuk ka kërkuar falje publike, ndërkohë që, kërkesa drejtuar PS-së për dënimin e të shkuarës së saj, po për këtë arsye, ka kohë që është bërë një gjest i pamoralshëm për PD-në. Gjithsesi, e gjitha kjo nuk do të duhej ta pengonte Kryetaren e sotme të Parlamentit të adoptonte mënyrën se si e veja e diktatorit komunikon me audiencën, lakonizmin dhe logjikën, të paktën formale, me të cilën ajo vesh këtë komunikim dhe të linte jashtë kësaj, mospërfilljen, arrogancën, manierat e njeriut të qorruar nga pushteti i pamerituar. Aq më shumë duhet të adoptonte të folurën e zhveshur nga çdo dialekt, duke evituar diskriminimin, mungesat në audiencën e saj. Edhe këtu, si kudo tjetër, gruaja më e fuqishme e Shqipërisë së sotme ka pasur arsye që të zhbënte atë që duhet zhbërë dhe të merrte atë që duhet marrë. Ashtu si dhe me Piramidën.
* * *
Që shkatërrimi të mos prevalojë mbi rindërtimin, të paktën dy mekanizmave duhet t’u jepet një hapësirë veprimi e pakufizuar: Votimit me shumicë të cilësuar, veçanërisht në parlament, dhe konkurrimit, kudo, në krejt hapësirën shqiptare. Votimi me shumicë të cilësuar nuk “investohet” si pushtet i minorancës. Përkundrazi. Vlera e votimit me shumicë të cilësuar i jep qëndrueshmëri zgjidhjeve, bën që mundësia e shkatërrimit të dobësohet përkundrejt mundësisë së rindërtimit. Jo vetëm disa ligje apo kode, por të gjitha dokumentet master-plan për zhvillimet sektoriale afatgjata (arsim, shëndetësi, etj.) duhet të miratohen me një shumicë të cilësuar në Parlament, që zhbërja e tyre e nesërme të jetë pothuajse e pamundur. I gjithë procesi i rindërtimit, në këtë kontekst, duhet të “qepet” vetëm nëpërmjet konkurrimit. Mungesa e konkurrimit u shërben vetëm regjimeve, sepse krijon kushte ideale për dobësimin e rindërtimit dhe fuqizimin e anës tjetër, shkatërrimit.
* * *
E transformuar në praktikë politike, legjenda e Penelopës që shkatërron natën atë që ka ndërtuar ditën për të fituar kohën që i duhet burrit të saj për t’u kthyer në shtëpi, jo vetëm ka humbur shkëlqimin, por është shëmtuar si një histori me përbindësha. E boshatisur nga vlera morale, kjo legjendë është kthyer në një armë në mbrojtje të regjimit të Tiranës, aq sa të duket sikur është vetë ajo që ka pjellë regjimin, ashtu sikundër është vetë regjimi i Tiranës që e shëmtoi atë dhe e bëri të pangjashme me vetë legjendën.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›