E Martë, 3 Nëntor 2026

Kuvend- Shtyhet miratimi i Marrëveshjes Shqipëri-Itali për emigrantët

Mazhoranca ka shtyrë shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”.

Ditën e djeshme (13 dhjetor) Gjykata Kushtetuese pezulloi ratifikimin në Kuvend të marrëveshjes për emigrantët. Gjykata Kushtetuese bëri me dije se do të shqyrtojë më 18 janar padinë e opozitës mbi marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.

Partia Demokratike çoi më 6 dhjetor në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për emigrantët me Italinë, duke e konsideruar atë si të papajtueshme me Kushtetutë. PD kërkon pezullimin e procedurës parlamentare për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Kryeministri Rama firmosi më 6 nëntor në selinë e qeverisë në Romë me kryeministren Xhorxha Meloni marrëveshjen në fushën e emigracionit.

Në bazë të marrëveshjes Italia do të financojë dy struktura qendra, një në Shëngjin dhe një në Gjadër që do të ngrihen në Shqipëri për të menaxhuar emigrantët e paligjshëm.

Këto struktura do të presin rreth 3 mijë persona në muaj, të cilët do të qëndrojnë aty gjatë kohës së shqyrtimit të kërkesave për azil. Këto struktura do të menaxhohen nga pala italiane.

Autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të migrantëve, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit, të parashikuara nga legjislacioni italian e evropian. Hyrja e migrantëve në ujërat territoriale dhe në territorin e Republikës së Shqipërisë do të kryhet ekskluzivisht me mjetet italiane dhe shpenzimet do të mbulohen nga Italia, që do të krijojë edhe qendra shëndetësore për ta.

Gjithashtu marrëveshja detyron palën italiane të përballojë çdo shpenzim të nevojshëm për akomodimin dhe trajtimin e emigrantëve duke përfshirë ushqimin dhe çdo shërbim tjetër që do të vlerësohet i nevojshëm prej palës italiane, duke u kujdesur që ky trajtim të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, sipas së drejtës ndërkombëtare.

Siguria brenda kampit do të bëhet nga pala italiane ndërsa autoritetet shqiptare do të ruajnë perimetrin e jashtëm. Në rast daljeje të paautorizuar të migrantëve nga zonat, autoritetet shqiptare do t’i shoqërojnë ata po pranë këtyre strukturave. Protokolli do të mbetet në fuqi për 5 vjet dhe në përfundim të afatit, pala italiane i kthen palës shqiptare zonat, pa detyrim kundërshpërblimi për përmirësimet e kryera.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›