Kuvend, Berisha: Opozita u mor me ultimatume politike kur mazhoranca diskutonte për kandidaturat

Kryeministri sfidon socialistët: Lepuri fle te Nano, hiqeni frikën dhe propozojeni
Edhe raundi i tretë i votimit për zgjedhjen e presidentit të ri, dukej i paravendosur se s’do kishte ndryshim nga dy raundet e mëparshme. Kjo për vetë faktin se as mazhoranca dhe opozita nuk kanë mundur të bien dakord për një kandidat konsensuale, duke shkuar në seancën e sotme parlamentare pa një emër konkret. Para fillimit të punimeve parlamentare për raundin e tretë sipas procedurës u zhvillua mbledhja e Komisionit të Ligjeve për të hartuar raportin që iu paraqit Kuvendit. Për shkak të mos pasjes të asnjë listë apo dhe thjesht një emër kjo mbledhja zgjati vetëm pak minuta. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke respektuar rregulloren në një rast të tillë citoi nenet e Kushtetutës për zgjedhjen e Presidenti, duke i kaluar më pas fjalën kreut të grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi. Por në deklaratën e tij kryetari i deputetëve të PS-së nuk kurseu kritikat ndaj mazhorancës dhe lidershipit të saj, Sali Berisha. “Ky është dështimi për herë të tretë, ky nuk është i yni, as i parlamentit. Por në vlerësimin e opozitës ka një emër të kësaj mazhoranca dhe të kreut të saj, Berisha, pasi as predikuat e aq më pak të provonit të punonit për të gjetur një zgjidhje konsensuale”- u shpreh Ruçi. Por kundrejt një akuzë të tillë erdhi menjëherë edhe përgjigja e kryeministrit, Sali Berisha, i cili argumentoi se e gjithë deklarata dhe qëndrimi i lidershipit socialist, as më shumë e as pak është e bazuar mbi mashtrimin, duke synuar vetëm bllokimin e integrimit të vendit. “Duke ndjekur editorialin e parafolësit që lexoi këtu, mund të them se dogma dhe mashtrimi janë shinat në të cilat lëviz opozita dhe mbetet e bllokuar në kohë. Katër javë më parë, kreu Rama nëpërmjet tre zëdhënësve të tij njëri prej të cilëve e kam parasysh, e në fakt është më i keqpërdorur, paralajmëroi shqiptarët se Berisha po bllokon reformat për t’i lidhur me presidentin. Kjo është e vërteta që e ka në memorie çdo shqiptar. Koha eci, në përputhje me deklaratat e mëparshme se PD do të angazhohet në këtë proces në afatet kushtetuese nisëm përzgjedhjen. Menjëherë pas u arrit dakortësia, hapi i parë ishte ftesa për zotin Ruçi për tu takuar për çështjet e modadilitetit. Ne ofruam një kandidaturë jopolitike”- u shpreh Berisha. Sipas tij, opozita është e prirur të mashtrojë në lidhje me procesin.“Unë nuk kam vënë ultimatume, por përkundrazi jam ngritur mbi bindjet e mia, pasi isha i bindur se zonja Topalli do të ishte figura e duhur dhe përfaqësuese në postin e kreut të ri të shtetit. Por në respekt të koalicionit dhe të opozitës mbështeta një kandidaturë apolitike. Unë e di lepuri fle të Fatos Nano, si ka mundësi ju kaq gojëkyçur dhe nuk propozoni një emër. Ju propozoj të mbështesni kandidatin konsensual të mazhorancës, të propozoni një kandidat me vlera më të larta që ju mund të gjykoni dhe do ta kosniderojmë në mënyrën më të madhe të mundshme, në të kundërt ju thjesht keni rilindur bllokun dhe bllokimin”- theksoi kryeministri Berisha.
...