“Presidenti”, dështon edhe raundi tretë – shans i humbur për opozitën. Topalli: Do zgjedhim një figurë dinjitoze

Të hënën, prova serioze për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, Kushtetuta favorizon votimin e thjeshtë me 71 vota
Edhe raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, është ezauruar pa votim dhe pa kandidatë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka deklaruar para deputetëve se Komisioni i Ligjeve është mbledhur mëngjesin e sotëm dhe ka nxjerrë një raport, ku konstatohet se nuk ka asnjë kandidat zyrtar për të vazhduar me votimin. Pas kësaj ajo ka kërkuar mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve e cila ka vendosur me konsensus që raundi i katërt i votimit të presidentit të ri të zhvillohet ditën e hënë në orën 10:00.
“Konferenca e kryetarëve ka vendosur me unanimitet që raundi i katërt i votimit për presidentin e ri të zhvillohet ditën e hënë në orën 10:00”- u shpreh Topalli në një prononcim për mediat. E pyetur nëse në raundin e katërt do të kishte një konsensus për presidentin, kryeparlamentarja Topalli u përgjigj se ekzistojnë të gjitha mundësitë.
“Kemi të gjithë dëshirën e mirë që të zgjedhim president një figurë dinjitoze”- tha kryetarja e Kuvendit.
Deri tani janë konsumuar tre nga pesë raundet e votimit për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë, ndërkohë që në raundin e katërt dhe pestë të votimit, kreu i shtetit mund të zgjidhet edhe me një shumicë prej 71 votash.